Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gashi: Kryeministri po bënë show me targa

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se pajtohen me rend dhe ligj, porse ajo që bëri Kurti, ka shtuar Gashi, është show ashtu “i njëjtë me atë që kishte bërë ish kryeministri Hashim Thaçi”.

“Nuk është që ne nuk pajtohemi me rend dhe ligj por duhet ta dimë pikë së pari pse sot zoti kryeministër ose me Njësi Speciale a ka pas fushatë vetëdijesimi. Qytetarët e këtij vendi qofshin shqiptar serb apo komunitete të tjera, duhet me ditë pse po merret një vendim, pse po bëhet një veprim dhe duhet me ditë cilat janë pasojat. Ai show që e bëri kryeministri duke tregu targa, është show që është pa që është bërë edhe më parë nga kryeministri Thaçi”, tha Gashi.

Sipas tij, targat le t’i zbatojnë pikat kufitare.

Kryeminsitri Albin Kurti, tha se masat që i ka marr Policia sot janë krejtësisht në përputhje me ligjin dhe kushtetutshmërinë.

“Çkado tjetër do të ishte gabim dhe 10 vjet qytetarët tonë kanë pagu për tabela provuese të përkohshme në mënyrë të padrejtë. Trajtim të barabartë po bëjmë jo kundër dikujt ose për inati të ndonjërit”, tha Kurti.

Kurti në fjalimin e tij, tha se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj marrëveshje për lëvizje të lirë nuk janë të drejtuara kundër qytetarëve serbë.

Ato sipas kryeministrit në asnjë mënyrë nuk kanë për qëllim të cenojnë të drejtën e lirë të qytetarëve serbë apo të provokojnë kurrfarë destabilizimi.

Ekipe të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, në orët e hershme të mëngjesit janë vendosur në disa pika në veri të Kosovës.

Kjo për shkak të informacioneve se disa persona në veri të Kosovës janë nisur drejt Jarinjes pas vendimit të MPB për zëvendësimin e tabelave të Serbisë me ato të përkohshme të Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar se si në qytetet si Leposaviqi dhe Zubin Potoku, qytetarët kanë bllokuar rrugët si shenjë proteste ndërkaq Policia e Kosovës po qëndron afër tyre.

Marrëveshja për targa me Serbinë ka skaduar para 5 dite