Gashi kritikon Policinë: Janë bërë muaj që asnjë gram kokainë nuk është kapur në Prishtinë

Kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, ka kritikuar Policinë e rajonit të Prishtinës, duke thënë se ka muaj që në Prishtinë nuk është konfiskuar asnjë gram kokainë.

“Qeveria e Kosovës duhet të na sigurojë neve që e zbaton ligjin, që në lokalet e ditës e të natës, që në dyqanet tona, që në ambientet tona, fëmijët nuk mund të blejnë cigare dhe alkool” – është shprehur Gashi, i cili ka potencuar se Qeveria e Kosovës duhet të përkujdeset për sigurinë publike.

“Shikoni statistikat, janë bërë muaj që asnjë gram kokainë në Prishtinë nuk është kapur” – ka vijuar ai.

Në “Kallxo Përnime” është duke u transmetuar debati për dosjen e dhunimit të 11-vjeçares, e cila dyshohet se dy herë brenda vitit në periudha të ndryshme ka qenë viktimë e dhunimit seksual.

KALLXO.com ka raportuar për pretendimet se vajza e cila dyshohet se është dhunuar nga 5 persona ishte në duart e institucioneve të shtetit disa muaj më parë në një rast të ngjashëm ku ajo pretendohet se ishte viktimë e trafikimit.