Arben Gashi kërkon nga opozita që t'i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare

Arben Gashi shef i grupit parlamentar të LDK-së, pas refuzimit të PDK-së për ti votuar marrëveshjet ndërkombëtare ka thënë që LDK asnjëherë nuk ka refuzuar ti votoj marrëveshjet sa ishte në opozitë.

“Për hir të korrektësisë duhet t’i rikujtojmë disa momente, ne si LDK kemi përkrah të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, çështja e parë lidhur me votimin ose mosvotimin në kohë të caktuar të LDK-së, ne e kemi thënë që koalicioni qeverisës duhet të jetë në sallë. Ne i kemi votu marrëveshjet sepse kanë qenë në interes të Kosovës” , tha Gashi.

Sipas Gashit, këto marrëveshje nuk janë të qeverisë Hoti, madje disa nga to janë të negociuara nga ish-ministri i PDK-së Bedri Hamza.

“Këto marrëveshje janë të negociuara nga ish-ministri Hamza, disa prej tyre nga ish-ministri Bislimi, të gjitha kanë qenë të dërguara në këtë kuvend nga ish-kryeministri Albin Kurti pra janë marrëveshje në interes të Kosovës”, tha ai.

Sipas Gashit, Kosova rrezikon ti humb miliona euro në kohë krize ekonomike me mosvotimin e këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare.

“A po thoni që kemi gabuar ne, në një situatë të qetë, edhe pse i kemi përkrah marrëveshjes, ndërsa ju sot në kulmin e pandemisë, krizës ekonomike botërore thoni se do të silleni edhe më keq sesa ne që jemi sjellë. Janë dhjetëra qindra miliona euro që nuk mund të hynë në qeverinë e Kosovës, sepse vet i keni negociuar dhe nënshkruar kjo nuk është sjelle që i ka hije një opozite”, tha ai.

Gashi i luti deputetët e PDK-së që ti votojnë këto marrëveshje ndërkombëtare.

“Ne kërkojmë mirëkuptim dhe po ju lusim që ti përkrahni këto marrëveshje ndërkombëtare në interes të ekonomisë dhe shtetit të Kosovës”, tha ai.

Kuvendi është duke i vazhduar punimet për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar si dhe disa projektligje të tjera.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) përmes deputetit Memli Krasniqi ka thënë se sdo ti votoj asnjë nga pikat e rendit të ditës, pasi që sipas tyre as LDK-ja sa ishte në opozitë nuk ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare.