Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gashi: Kapot e krimit në veri kanë mijëra pajisje për prodhim të kriptovalutave

Kreshnik Gashi, gazetar hulumtues, tha në emisionin “Kallxo Përnime” se kapot ose kokat e krimit në veriun e Kosovës kanë në pronësi mijëra pajisje për prodhim të kriptovalutave.

Duke rrëfyer hulumtimin e tij për kriptovalutat në veri, Gashi ka thënë se në këtë biznes janë të përfshirë edhe shqiptarët, përveç serbëve.

Sipas Gashit, dukuria e prodhimit të kriptovalutave ka filluar kur në tregun botëror ka rënë vlera e tyre.

“Në fillim, investimet e para kanë qenë nëpër ferma të cilat janë ndërtu nëpër fshatra e qytete të Kosovës, ku paguhet energjia elektrike, për shkak se në atë kohë ka pasur hesap njeriu me ble pajisjen edhe me pagu rrymën. Më pas, nuk ka pasur fitim me prodhu me çmimin e energjisë elektrike që është në Kosovë për momentin”, tha Gashi.

Më pas, sipas Kreshnik Gashit, pajisjet që kanë qenë në gjithë Kosovën kanë filluar të zhvendosen në pjesën veriore të vendit, si në fshatrat Suhodoll, Gushavc apo në Lagjen e Boshnjakëve.

“Por, ka pasur një problem ku në Suhodoll është djegur trafo dhe janë djegur pajisjet, para rreth një viti. Edhe derisa qeveria e Serbisë ka investu në trafon e re e cila është ndërtu aty, është dashur të shtrihet një kabllo e re me koston e banorëve, ka pasur problem për mirëmbajtje të pajisjeve dhe është vendosur që të shkohet në zona të tjera më të thella, si në Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan”, ka treguar Gashi.

Ai ka përmendur kapot e krimit në veri, duke thënë se kanë me mijëra pajisje të tilla, të cilat janë të vendosura në ferma të mëdha në atë zonë, e që në Kosovë janë futur ilegalisht.

“Ajo çka kemi arritë me kuptu gjatë hulumtimit tonë është se Prokuroria e Shtetit nuk dinë shumë për këtë punë dhe nuk e dinë për vlerën që e kanë këto makina. Ka pasur rast kur një pajisje të tillë të konfiksuar me vlerë mbi 40 mijë euro, prokurori ka dhënë urdhër që t’i rikthehet pronarit, pasi nuk ka pasur vepër penale”. tha ai.