Gashi: Janë rreth 2 mijë persona në veri që punojnë për shtetin e Kosovës e nuk e paguajnë rrymën

Redaktori menaxhues i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, ka thënë se në veri të vendit janë rreth 2 mijë persona që punojnë në institucionet e vendit dhe nuk e paguajnë energjinë elektrike.

Duke folur në emisionin ‘Kallxo Përnime’, Gashi tha se këta persona janë prokurorë, gjykatës e policë.

“Për Qeverinë e Kosovës llogariten se janë diku rreth 1,500 deri në 2,000 njerëz të cilët punojnë dhe jetojnë në veri, të cilët i kanë 2 mijë shtëpi, dy mijë banesa e të cilët marrin pagë zyrtare prej institucioneve të Kosovës. Këta njerëz janë gjyqtarët, këta janë prokurorët, policët, zyrtarët të Administratës Tatimore”  – tha Gashi.

Tutje, ai tha se aktualisht në Kosovë nuk ka ide se si të zgjidhet problemi i mosfaturimit të rrymës në veriun e Kosovës.

“E para, nuk ka ide qysh me e zgjidhë problemin. E dyta, të gjitha partitë politike janë barrikadu në zgjidhjen e vetme e cila të çon te marrëveshja me Serbinë dhe te implementimi i asaj marrëveshjeje. Dhe nuk ka zgjidhje të tjera kreative të cilat kishin me imponu nisjen e shembujve ku energjia elektrike nis me u pagu në zonën e veriut, për mos me thanë që edhe një pjesë e partive politike kanë pasur interesa anej”- deklaroi Gashi.

“Ka shumë shpenzim të energjisë elektrike në atë zonë, e cila ka shku për bitcion dhe për kriptovaluta dhe në anën tjetër, thjesht niveli politikbërës në Kosovë nuk ka arritur me prodhu ide që me mujët me e zgjidhë problemin” – shtoi ai.

Sipas Gashit, një ide praktike për zgjidhjen e problemit është edhe kushtëzimi i punëtorëve institucionalë me pagë për pagesën e energjisë.

“Njëra prej ideve është që nëse nuk kryhet marrëveshja, me u nis me u kushtëzu pagesa e disa shërbimeve, pagesa e pagave, të cilat u kryhen punonjësve institucionalë në atë zonë, me pagesën e energjisë. Një qytetar serb i cili jeton në veriun e Mitrovicës është vazal ndaj Qeverisë së Serbisë, sepse është i varur prej pagës të cilën e merr” – ka thënë Gashi.

Ai tha se një metodë të ngjashme përdoret nga institucionet për pagesën e tatimit në pronë apo të regjistrimit të veturës.

“Është duke u tentu me u ble qetësi politike në veri, qetësi qytetare dhe është duke u tentu me u lënë në atë zonë qeverisja e krimit dhe e njerëzve të cilët e dominojnë atë zonë. Është e pakuptimtë që edhe në zonën e ‘Tre rrokaqiejve’ ku është e vendosur prokuroria, nuk arrijmë me e çu rrjetin e KEDS-it. Kemi të bëjmë me një tolerim të asaj zone. Si rrjedhojë, ata nuk paguajnë rrymë, nuk paguajnë ujë dhe as mbeturina” – tha Gashi.