Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Gashi: I vetmi "sukses" i Qeverisë Kurti ka qenë hartimi doracakëve për edukimin seksual
Shefi i Grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka deklaruar më 02.12.2024, se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti, deri më tani mund të kualifikohet për “paaftësi dhe dështim”.
Gashi ka thënë se i vetmi “sukses” i Qeverisë Kurti ka qenë hartimi i doracakëve për edukatën seksuale.
“Albini si kryeministër ka dështuar në ndërtimin e rrugës Prizren – Plavë, Prishtinë – Mitrovicë dështim, Prishtinë – Pejë dështim, arsimi dhe shëndetësia po ashtu dështim. I vetmi sukses që ka pasur ka qenë hartimi i doracakëve për fëmijët për edukatën seksuale. Ka premtuar ndërtimin e spitalin dhe ka dështuar. Deri më tani ky kryeministër mund të kualifikohet për paaftësi, dështim, korrupsion, krim. Ky kryeministër ka bërë edhe shkelje kushtetuese”- ka thënë Gashi.
Ai ka thënë se Kurti sot mbajti fjalimin më të gjatë në histori, por në asnjë moment nuk u pa në rolin e kryeministrit.
“Kurti e ka pasur fjalimin më të gjatë në historinë e parlamentarizimit të Kosovës dhe në asnjë moment nuk e pamë si kryeministër. [E pamë] më shumë si drejtor ndërmarrje, si drejtor i spitalit në Pejë, drejtor i çerdheve, komandant ndërrimi në stacion policor, asnjëherë në asnjë rrethanë në detyrat dhe lartësinë e tij kryeministrore”- u shpreh ai.
Në prag të përfundimit të mandatit, Kuvendi i Kosovës po mban debat parlamentar lidhur me qeverisjen katërvjeçare të kryeministrit, Albin Kurti.
Kryeministri,Albin Kurti, thotë se qëndron me “krenari e vetëbesim” për mandatin katërvjeçar të qeverisë së tij.
Kjo seancë është propozuar gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, më 25.11.2024, nga deputeti Besnik Tahiri në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Qeveria Kurti 2 është votuar më 22 mars 2021, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim.