Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gashi i LDK-së: Akoma nuk është tërheq projektligji, jemi në të njëjtën situatë

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka folur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se projektligji i cili u tentua të kalohej me procedura të përshpejtuara në Kuvend mbrëmë, nuk është tërhequr ende.

Sipas tij, LDK nuk do të marrë pjesë në seancë për votim të presidentit pa u tërheq ligji dhe pa u dhënë një garanci që reforma zgjedhore do të jetë transparente dhe substanciale.

“Ne kemi bë kërkesë për Lëvizjen Vetëvendosje që të tërhiqet nga ligji për zgjedhjet. Ne akoma nuk kemi tërheqje të projekt ligjit të propozuar nga z. Kurti prandaj jemi në të njëjtën situatë. Po ashtu, kërkesa jonë është e arsyeshme sepse kemi për herë të parë që një shumicë po tenton t’i ndryshoj rregullat në procesin zgjedhor”, tha ai.

“Ne jemi për reformë substanciale zgjedhore, por jo në mënyrë arbitrare në ora 9:00 në mbrëmje që të bëhen këto gjëra”, deklaroi Gashi.

“Duhet të tërhiqet propozuesi nga ky projektligj dhe të jepën garanci që do të bëhet një reformë substanciale. Po ashtu, në kërkesën që e kanë dërguar, ne kemi vrejtë që ka një ndërhyrje në listën e deputetve që janë nënshkruar, duhet të shihet si ka ndodhë kjo sepse janë shlyer tre emra”, tha Arben Gashi para gazetarëve.