Gashi: Fat i mirë që tërmeti s’ka ndodhur gjatë verës

 

Autori i emisionit Drejtësia në Kosovë, Kreshnik Gashi që gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në Shqipëri ka deklaruar në emisionin Jeta në Kosovë se fati i mirë i gjithë kësaj fatkeqësia është që tërmeti nuk ka ndodhur gjatë sezonës së verës.

“Nëse tërmeti do të kishte ndodhur gjatë sezonin turistik të verës, do të kishte dyfish apo trefish më shumë viktima, pasi që një pjesë e objekteve që janë rrëzuar në zonën e Durrësit janë objekte turistike, të cilët presin turist dhe gjatë verës kanë mundur të jenë rreth 200-300 persona brenda”, tha Gashi në emisionin Jeta në Kosovë.

Gashi ka rrëfyer edhe atë se çka ka parë gjatë natës së djeshme, ku sipas tij ekziston një kaos total i organizimit.

“Në zonat e prekura është një kaos total, askush se di cila është detyra e tij dhe çka duhet vepruar dhe si të menaxhohet kriza. Njerëzit në Durrës kanë flejtë në makina, në tenda, në objekte shkollore. Ka pamje të rënda atje”, tha Gashi.

“Mafia e ndërtimit dhe kontrolli i biznesit mbi politikën ka krijuar objekte të cilat mund të shemben lehtë, ka krijuar qeverisje që s’mundet me i kontrollu objektet”, tha tutje ai.