Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gashi e quan inat politik mosratifikimin e marrëveshjeve për ujë të pijshëm dhe ujëra të zeza për Gjilanin

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se Hekuran Murati tashmë ministër i Financave, për shtatë muaj refuzonte që të ratifikohet marrëveshja për furnizimin me ujë të pijshëm në Komunën e Gjilanit.

“Po ashtu edhe sot po i njëjti ministër në emër të Komisionit për Buxhet dhe Financa refuzonte që të ratifikohet marrëveshja për trajtimin e ujërave të zeza po në të njëjtën komunë”, ka thënë Gashi.

Deputeti i LDK-së këto i ka cilësuar si inate ndaj kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Në kundërpërgjigje të Gashit, ka ardhur ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ka rikujtuar se vitin e kaluar grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë vendimtar për ratifikimin e këtyre marrëveshjeve në pamundësinë që pozita të siguronte numrat.

“10-milionëshi i parë për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza e kemi ratifiku në muajin korrik 2020, ndërsa 10-milionëshin i dytë është ratifiku në muajin dhjetoor”, ka thënë Murati

Ministri i Financave po ashtu ka njoftuar se Komuna e Gjilanit i ka mjetet për më shumë se gjashtë muaj por, nuk ka vepruar asgjë dhe se “vlen ajo se çfarë kemi thënë në fillim se komuna nuk i ka përmbushë detyrat e veta”.