Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gashi drejtuar pozitës: Zhurma e juaj do të jetë më e ulët se përkushtimi jonë për punë

Kryetari i grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka kritikuar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu se sipas tij, ajo po krijon zhurmë.

Gashi ka kërkuar nga kryesuesja e Kuvendit, Saranda Bogujevci që siç tha ai, të krijojë kushte të mbahet seanca.

“E nderuar kryesuese, mundësisht i bën thirrje Albulenës të mos bëjë zhurme mbrapa, se jam tu mbajtë diskutim” – tha Gashi.

“Ti s’mundesh me më ndalë mu, nuk mundesh me ma ndalë fjalën”- është kundërpërgjigjur Haxhiu.

“Mundem me ta ndalë zhurmën Albulenë, fjalën jo. Kryesuese të lutëm krijo kushte që të mbahet seanca, faleminderit shumë”- tha më pas Gashi.

Në fjalën e tij, deputeti Gashi ju drejtuar pozitës duke ju thënë se zhurma e tyre do të jetë më e ulët se përkushtimi i opozitës për punë.

“Zhurma e juaj do të jetë gjithmonë më e ulët se sa argumenti dhe përkushtimi i jonë për punë. Kështu që sado që bëni zhurmë, pak do të jetë përballë argumentit. Vendi po kalon në një fazë delikate dhe mungesa e përgjegjësisë po shkakton zhurma. Kryeministri me sjelljet e tij duke nxitur zhurmën ka shkaktuar problemin”- ka deklaruar Gashi.

Ai tha se kryeministri Kurti po e rrezikon partneritetin me ndërkombëtarët dhe se sipas tij, kreu i ekzekutivit “rrezikoi partneritetin me SHBA-në edhe kur ishim bashkë në Qeveri”.

“Ne sot i deklarojmë kryeministrit dhe qytetarëve e sidomos bartësve të institucioneve të Kosovës se ne qëndrojmë fuqishëm në mbrojtje të tërësisë territoriale dhe të interesit shtetëror, qëndrojmë në përkrahje në zbatim ligjit dhe nindshëm qëndrojmë në ruajtjen e partneritetin ndërkombëtar të Kosovës. Kryeministri nga egoja po rrezikon partneritetin”- tha Gashi.

“Ne po angazhohemi maksimalisht që të japim ndihmën tonë institucioneve të vendit dhe të mos e rrezikojmë partneritetin ndërkombëtar”- shtoi ai.

Deputeti më tej, tha se me veprimet e Kurtit, sot ka më pak shtet.

“Kërkesa e SHBA-së ka qenë kërkesë që kryeministri është dashur ta marrë parasysh e kuptoj që shteti duhet të funksionojë në çdo cep por me këtë veprim të kryeministrit sot kemi më pak shtet në veri të Kosovës. Sot kemi më pak policë në veri, sot nuk kemi hiq prokurorë e gjyqtarë në veri, nuk ka kryetarë të komunave e asamblistë në veri të Kosovës dhe ne duhet të jemi të përgjegjshëm në ato që i bëjmë” – u shpreh Gashi.

Përderisa Gashi po diskutonte për mungesën e ghyqtarëve, prokurorëve e policëve në veri, Haxhiu u drejtua me fjalët “Pse po rren?”.

Më pas, Gashi tha se nuk e kupton gjuhën e ministres dhe se sipas tij për këto fjalë, kryesuesja do të duhej ta largonte nga seanca.

Ministrja në fjalën e saj, tha se deputeti Gashi po keqinformon për çështjen e mungesës së prokurorëve dhe gjyqtarëve në veri të vendit.

“Me dalë shefi i grupit parlamentar të PDK-së dhe LDK-së me thanë që nuk ka prokurorë dhe gjyqtar në veri, shumë pak është me thënë keqinformim sepse ju po keqinformoni qytetarët por edhe po inkurajoni dhunuesit sepse kur të sheh ty duke thënë që nuk ka prokurorë e gjyqtar normal që bën vepër penale”- deklaroi Haxhiu.

“Jam e gatshme me shku me ty edhe me Arbenin në Prokurori në Mitrovicë dhe në Gjykatë aty janë prokurorët edhe gjyqtarët prandaj mos shpifni”- shtoi ajo.

Haxhiu: Të dorëhequrit nuk mund të kthehen sërish në sistem të drejtësisë