Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gashi: Arsyeja pse ndërkombëtaret investojnë në ATK dhe Doganë është parandalimi i shpëlarjes së parave

Sonte në emisionin e KALLXO.com po debatohet për Administratën Tatimore të Kosovës. Në këtë emision po shpalosen gjetjet e monitorimit të ATK-së gjatë vitit 2020.

Në hyrje të këtij emisioni kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, tregoj arsyet se pse ndërkombëtaret po investojnë shuma të mëdha të parave në institucionet si ATK dhe Dogana.

Ai tha se ATK është një nga institucionet më të rëndësishme në parandalimin e shpëlarjes së parave dhe ndërkombëtarët nuk dëshirojnë që Kosova të shndërrohet në një vend ku bëhet shpëlarja e parave të përfituara përmes veprave kriminale.

“Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe janë të  interesuar që Kosova mos me u shëndrru në një vend ku bëhet shpëlarja e parave dhe kjo është një nga arsyet pse ndërkombëtarët duan shumë me investu qoftë në Doganë qoftë në ATK për me ndërtu mekanizma kredibilë për parandalimin e tyre”, tha Gashi.

Ai shtoi se ATK është një nga institucionet më të rëndësishme në fushëveprimtarinë e sundimit të ligjit dhe të zhvillimit të shtetit pasi tatimet janë njëra nga procedurat kryesore që grumbullojnë buxhetin e shtetit dhe ndikon në parandalimin e shpëlarjes së parave.

 

Këtë muaj Rrjeti Ballkanik I Gazetarisë Hulumtuese – BIRN dhe organizata Demokraci Plus (D+) kanë publikuar raportin e monitorimit të Administratës Tatimore të Kosovës.

Raporti titullohet “Evazioni në Punësime”, për shkak të problemeve të ATK-së me procedurat e rekrutimit dhe parregullsive të cilat janë konstatuar në konkurset e fundit.

Gjetjet e këtij raporti tregojnë se ATK vazhdon të ketë probleme me disiplinimin e zyrtarëve të saj. Aty tregohet se në shumë raste vërejtjet të cilat jepen nga menaxherët shpeshherë nuk janë të arsyetuara siç duhet.

Tutje raporti tregon se masat disiplinore të shqiptuara shpeshherë nuk janë në përputhje me shkeljen e kryer pasi masat janë më të lehta sesa realisht do të duhej të ishin.

Pjesë e raportit janë edhe hulumtimet e publikuara gjatë vitit 2020 në të cilat ishin shfaqur dyshimet për mosdeklarim të pasurisë nga ana e dy zyrtarëve të lartë të ATK-së.

Të dhënat tregojnë se ATK vazhdon të ketë probleme me fiskalizimin e bizneseve pasi gati gjysma e bizneseve në Kosovë vazhdojnë të jenë të pa fiskalizuara.