Gashi: Amerikanët nuk kanë dashur që të ketë krim të organizuar në veri të Kosovës

Kreshnik Gashi, redaktor në KALLXO.com, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë dashur që të ketë krim të organizuar në veri të vendit.

Gashi tha se agjenda e SHBA-së për veriun e Kosovës ka qenë agjendë kundër krimit të organizuar, duke marrë për fakt futjen në “listë të zezë” të disa personave nga Serbia.

Pavarësisht kësaj, Gashi tha se Kosova përsëri është kthyer në agjendë të sigurisë.

“Ajo çka jemi duke parë tash është përgatitja e një terreni për zgjedhje të reja. Ajo çka duhet me përmend dhe çka na mundemi më kriju është që agjenda amerikane ka qenë agjendë e sigurisë. Po faktet e thonë të kundërtën. Agjenda amerikane ka qenë agjendë kundër krimit të organizuar. Kur dy vite më parë amerikanët kanë futur në “listë të zezë” njerëz nga Serbia, kjo ka sjellë një fakt të rëndësishëm. Po të kishin dashur ata agjendë të sigurisë ata kishin bashkëpunuar me ta. Amerikanët nuk kanë dashtë me e lënë krimin e organizuar. As britanikët nuk kanë dashur. Ne nga agjenda amerikane kundër krimit të organizuar prapë e kemi vendosur agjendën e sigurisë. Kjo sepse kemi provokuar tensione etnike”- ka thënë Gashi.

Pas tensioneve në veri të vendit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione të ndaj Kosovës.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, Demush Shasha nga Instituti Epik tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk dëshirojnë konflikte dhe destabalizim në Ballkanin Perëndimor.

Katër komunat e veriut të Kosovës që nga e premtja e javës së kaluar janë në një gjendje të tensionuar të sigurisë.  Serbët në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq po vazhdojnë protestën e tyre për të pestën ditë më radhë.

Ata po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.