Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gashi: 8 fletëvotime të pavulosura, indikacione për ‘trenin bullgar’ në Skenderaj

Redaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, tha se në ditën e zgjedhjeve të 17 tetorit në Skenderaj ka pasur indikacione për mundësinë e zbatimit të “trenit bullgar”.

Gashi iu referua kësaj pasi 8 fletëvotime kishin rezultuar të pavulosura në vendvotime të ndryshme në Skenderaj.

“Ekzistojnë disa elemente që neve munden me na çu te krijimi i asaj ideje që ka pasur probleme me ‘trenin bullgar”, në të cilën e njohim të gjithë. Janë zbuluar 8 fletëvotime të cilat janë të pavulosura në kutitë e votimit në Skenderaj”, tha Gashi në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai e sqaroi edhe termin ‘treni bullgar’ se çka nënkupton.

“Kur një person futet në qendrën e votimit, merr fletëvotimin dhe në kutinë e votimit nuk e fut fletëvotimin origjinal, mirëpo e fut një fletëvotim tjetër, e nxjerr jashtë fletëvotimin origjinal, i cili me para plotësohet dhe i jepet personit tjetër. Personi tjetër që futet në qendrën e votimit, futet me votu, është i obliguar që atë të plotësuar me vendos në kuti edhe me nxjerrë një fletëvotim tjetër të vulosur jashtë qendrës votimit”, tha Gashi.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kishte konstatuar se tetë fletëvotime kanë qenë të pavulosura në kutinë e votimit për kryetar të Komunës së Skenderajt.

Ankesat janë të parashtruar nga subjekti i Bekim Jasharit, i cili kishte ngritur dyshimet për parregullsi dhe vjedhje të votave të sistemit të “trenit bullgar” gjatë procesit zgjedhor më 17 tetor në Skenderaj.

Dyshime të mëdha për ‘tren bullgar’ në Skenderaj, tetë fletëvotime të pavulosura

.