Ilustrim

Gardiani kapet duke tentuar futjen e drogës brenda Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë

Mbrëmë rreth orës 19:00, në Qendrën e Paraburgimit Prishtinë është parandaluar futja e substancave narkotike.

Sipas njoftimit të lëshuar nga kjo qendër, thuhet se gjatë bastisjes së stafit nga ana e oficerëve të sigurimit në trupin e oficerit korrektues V. Q. është gjetur lëndë e dyshuar narkotike.

“Në vazhdën e luftimit të dukurive negative brenda institucioneve korrektuese, mbrëmë rreth orës 19:00, në kohën e pranim dorëzimit të detyrës (ndërrimit të natës), gjatë kontrollit, bastisjes së stafit nga ana e oficerëve të sigurimit, në hyrjen kryesore porta zero është parandaluar futja e kontrabandës brenda Qendrës së Paraburgimit Prishtinë. Gjatë kontrollit, në trupin e oficerit korrektues, V. Q. është gjetur lëndë e dyshuar narkotike”, thuhet në komunikatë.

Në njoftim thuhet se lidhur me rastin, janë njoftuar Njësiti Antidrogë i Policisë së Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë  konfiskuar lëndën e  dyshuar narkotike, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacionin e Policisë për procedim të mëtutjeshëm.

“Ndaj zyrtarit korrektues të dyshuar është ndërmarrë masa e suspendimit nga vendi i punës dhe menjëherë është iniciuar procedure e brendshme disiplinore”, thuhet në njoftim.

Në komunikatë thuhet se Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin e dukurive negative, ku hyjnë luftimi i kontrabandës, substancave narkotike, korrupsionit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare, dhe nuk do të lejoj në asnjë mënyrë rrezikim e institucioneve korrektuese nga dukuritë dhe veprimet e tilla.