
Gardiani dyshohet se futi kokainë brenda burgut të Gjilanit, suspendohet nga SHKK
Një zyrtar korrektues është suspenduar nga detyra e tij sot pasdite, nën dyshimet se ka futur brenda burgut të Gjilanit drogë të llojit kokainë.
KALLXO.com mëson se gardiani përmes mënyrës së fshehtë i kishte dhënë një të burgosuri drogën ndërsa për veprimet e dyshimta menjëherë u alarmuan stafi korrektues.
Tutje siç mëson KALLXO.com, gardiani drogën e kishte fshehur në xhep e më pas ia kishte dhënë të burgosurit ndërsa tutje kishin ndërhyrë stafi dhe kishin sekuestruar provën kryesore të këtij rasti.
Pas identifikimit të veprimeve siç mëson KALLXO.com, i burgosuri është intervistuar dhe ka rrëfyer se drogën e kishte pranuar nga gardiani i dyshuar.
Gardiani inicialet e të cilit janë K.R., po dyshohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Në lidhje me rastin siç mëson KALLXO.com është njoftuar edhe Policia e Rajonit të Gjilanit.