Flamuri i Irani, Ilustrim: Pixabay

Gardat e Iranit ndalojnë komunikimin me pajisje pas shpërthimeve të mjeteve të përdorura nga “Hezbollahu”

Trupat e Gardave Revolucionare të Iranit i kanë urdhëruar të gjithë anëtarët e tyre të mos i përdorin asnjë lloj pajisjeje komunikimi pasi mijëra “pagerë” dhe radiolidhje, të përdorura prej aleatëve të tyre të “Hebzollahut” shpërthyen javën e kaluar në sulmet vdekjeprurëse, kanë konfirmuar për Reuters dy zyrtarë të lartë iranianë sigurie.

Njëri prej zyrtarëve ka thënë se po zhvillohet një operacion i madh prej gardave për të inspektuar të gjitha pajisjet, dhe jo vetëm ato të komunikimit. Ai ka thënë se shumica e pajisjeve janë prodhime iraniane, ose të prodhuara në Rusi ose Kinë.

Irani ishte i shqetësuar për infiltrimin e agjentëve izraelitë, përfshirë iranianët të paguara nga Izraeli, dhe tashmë ka nisur një hetim i personelit, duke shënjestruar edhe anëtarë të lartë të Gardave Revolucionare, ka shtuar zyrtari, i cili ka refuzuar të publikojë emrin për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Ky hetim ka nisur për shkak dyshimeve se kishin llogari bankare edhe në Iran, edhe jashtë vendit, si dhe për shkak të “historisë së udhëtimeve dhe të familjeve të tyre”, ka shtuar zyrtari i sigurisë.

Ministrat e Jashtme, të Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme nuk i kanë komentuar kërkesat e Reutersit për koment pas deklaratave të zyrtarëve të sigurisë.

Në një seri sulmesh të koordinuara, pajisjet për komunikim të njohura si “pagerë” detonuan të martën e javës së kaluar në mbarë bastionet e “Hezbollahut” në Liban. Të mërkurën e javës së kaluar, shpërthyen qindra radiolidhje të “Hezbollahut”. Sulmet lanë të vrarë 39 persona dhe plagosën më shumë se tre mijë të tjerë.

Libani dhe “Hezbollahu” akuzojnë Izraelin për sulmet, derisa Izraeli as nuk i ka mohuar e as nuk i konfirmuar akuzat për përfshirje.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com