Foto: KALLXO.com

Garda nderon policin e vrarë Sami Thaqi

Tri rende të shtënash u dëgjuan në Shkarashnik të Malishevës. Garda e Policisë së Kosovës po i jep lamtumirën e fundit policit që ra në krye të detyrës në Zhur të Prizrenit.

Sami Thaqi, polic i njësisë speciale u vra nga një shpërthim teksa bashkë me kolegë po bastisnin shtëpinë e një të dyshuari në fshatin Zhur.

Përveç humbjes së këtij polici, në atë incident u lënduan edhe dy policë të tjerë.

Deri më tani ende nuk është bërë e qartë se si ishte vendosur eksplozivi ndërsa i dyshuari, pronari i shtëpisë ishte arrestuar pas ngjarjes tragjike.

E sot në fshatin Shkarashnik të Malishevës u mblodhën personalitete të ndryshme, miq, familjarë për ceremoninë e varrimit të policit të rënë.

Në mesin e gjithë të pranishmëve munguan drejtues e zyrtarë të lartë shtetëror. Aty nuk u panë as Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, as Presidenti Hashim Thaçi, e as lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti i cili doli i pari në zgjedhjet e fundit që u mbajtën në tetor.

 

Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj tha se humbja e Thaqit është humbje e madhe për policinë.

“Sot nuk është një ditë e zakonshme dhe e lehtë për ne. Po ndahemi nga një mik, djalë, prind, shok, po ndahemi nga një kontribut dhënës. Është shumë vështirë për mua të gjej fjalë për zyrtarin policor të rënë në krye të detyrës por të njëjtën kohë tregon përkushtimin e zyrtarit policor që për çdo sakrificë ishte i gatshëm”, tha ai.

Në funeral erdhi edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

“Vështirë që të filloj fjalimin në këtë fillimvit për bashkëluftëtarin, shoku e bashkëqytetarin tonë që dje ishte pranë nesh e mbrëmë ra në detyrë. Familja e Sami Thaqit, duhet të jeni krenar me fëmijën tuaj qe i dha Kosovës dinjitet pasi qe dëshmoi se ai punoi me dinjitet. Samiu me shumë shokë të tij doli gjithmonë fitimtar duke dëshmuar që Kosova ka djem qe dinë dhe donë të mbrojnë atdheun. A ka argument më të fuqishëm se sa Samiu në moshën 16 vjeçar u rreshtua të luftoj për vendin. Edhe dje Samiu ishte bashkë me shumë shokë me detyra të punës, dhe as mbrëmë nuk ishte i vetëm dhe kurrë nuk do të jetë vetëm. Samiu ndahet vetëm fizikisht nga ne, veprat e tij flasin më shumë, sakrifica e tij dhe shokëve të tij qe dëshmuan që ky vend ka djem që luftojnë në të mirë të vendin e këto vepra nuk vdesin kurrë”, u shpreh ai.

VIDEO: Varrimi i policit Sami Thaqi

Drejtori i Drejtorisë për hetimin e narkotikëve, Arsim Bytyqi e pati pak të vështirë të fliste për kolegun e njësitit të tij.

“E kam të vështirë se po mbaj fjalë mortore për Sami Thaqin. Samiu si pjesëtar i policisë ishte angazhuar që të jepte një jetë më të mirë e pa rrezik për qytetarët e Kosovës. Humbja e Samiut nuk është vetëm humbje e familjes por edhe humbje për Policinë e Kosovës”, tha ai.

https://kallxo.com/lajm/e-kaluara-kriminale-e-iron-badallit-i-arrestuar-pas-vrasjes-se-policit-sami-thaqi/

Familjarë të shumtë të cilët ishin pjesë e varrimit, u panë me lot në sy deri sa përcjellnin e i thonin lamtumirë Sami Thaqit.

Polici i njësitit special saktësisht të atij të anti-drogës, është polici i 21 i cili vdes në krye të detyrës.

Dita e enjte do të jetë ditë zie pas ngjarjes tragjike e cila kishte ndodhur në Zhur të Prizrenit.

Presidenti Thaçi ka ndarë sot edhe urdhrin “Hero i Kosovës” për policin Sami Thaqi.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës ka ndarë 15 mijë euro për familjen e Sami Thaqit dhe nga 10 mijë për dy të lënduarit.