Gara për Drenas, edhe një anëtar i PDK-së kandidat për kryetar

Garës për zgjedhjet lokale që priten të mbahen në vjeshtë i është shtuar edhe një kandidat për Komunën e Drenasit.

Arsim Mehmeti është deklaruar kandidat potencial i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Drenasit.

Mehmeti në një prononcim për KALLXO.com thotë se përkrahjen për këtë kandidaturë, e ka marrë nga anëtarësia e këtij subjekti politik të cilës i përket që 22 vjet.

“Mua më përkrahin anëtarësia e Partisë Demokratike. Jam thjeshtë kandidat i kësaj shtese të Partisë Demokratike por edhe të qytetarëve tjerë. Mua po më përkrahin anëtarësia e gjerë që janë qindra e mijëra votues të PDK-së në Drenas. Aktualisht jam vetëm anëtar i thjeshtë me librezë i PDK-së. Jam kandidat i PDK-së deri të bëhet zyrtarizimi i ndonjërit prej neve në KQZ. Derisa nuk ka diçka zyrtare, unë e kam të drejten time legjitime që si anëtar me shpalos kandidaturën time”, tha ai.

Sipas Mehmetit, kryesisë qendrore të PDK-së duhet t’i shkojnë emrat e disa kandidatëve e që në fund të vendos për njërin dhe jo të nominohet një kandidat me 12 vota të degës.

“Në degë ka disa luhatje. Kryesia e degës në Drenas i ka shkëputur kontaktet me anëtarësinë. Strukturat nuk janë stuktura stabile. Strukturat nuk po funksionojnë si duhet sepse në një bastion është dashur me i vendos disa kandidat e pastaj me vendos për njërin. Jo për shembull një kandidat me propozu e me votu 12 anëtarë, kjo nuk është serioze. Mua vetë me kanë lyp anëtarët me dalë. Unë nuk kam dalë për inati të askujt”, u shpreh ai.

Ai thotë se është kandidat mjaft i përgatitur për këtë pozitë, e që për këtë sfidon edhe anëtarët tjerë të PDK-së.

“Secili flet për vetën, nëse gjani dikë më të fortë në PDK në Drenas se sa unë, nese e gjani që ky ka më shumë background, unë ka me ju rreshtu pas tij si vullnetar”, u shpreh Mehmeti.

Ai thotë se kandidaturën e ka shpallur vetëm në rrjetin social “Facebook” dhe se për një vendim të tij nuk janë në dijeni zyrtarisht strukturat e PDK-së.

Mehmeti tha për KALLXO.com se është në pritje të mbahet Konventa Zgjedhore e PDK-së e që si rrjedhojë zyrtarizohen tjerë kandidatë të kryetarëve të komunave.

“Ai na ka thanë se do të mbahet një Konventë Zgjedhore e PDK-së me të cilën nënkupton që zgjidhen organet e reja dhe lidershipi i ri do ta ketë serioze kandidaturën time. Dega pra veç dërgon propozime e qendra vendos. Nuk kanë bërë mirë që e kanë qu veç një propozim nga një kryesi 12 anëtarëshe”, ka thënë ai.

Biografinë e tij të plotë, Mehmeti e ka bërë publike në rrjetin social “Facebook” të cilën mund ta lexoni në këtë link.

Shumë kohë më parë, kryetari aktual Ramiz Lladrovci ka shpallur kandidaturën për kryetar të Drenasit.

Javën e kaluar, Driton Ajazi deklaroi se është nominuar nga dega e PDK-së për kryetar të Komunës së Drenasit.

Pas këtij njoftimi ka reaguar Ushtruesi i Detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj duke thënë se kandidatura e Lladrovcit është çështje e mbyllur.