Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gara globale për vaksinim, si qëndron Kosova?

Së paku 5,95 miliardë doza të vaksinave ndaj COVID-19 janë administruar deri tani në botë, të dhëna këto nga 233 vende të botës.

Aktualisht po administrohen shtatë lloje të vaksinave, nga 230 sa kanë qenë në testim.

Sipas Financial Times, Izraeli është vendi që më së shpejti ka proceduar me vaksinim.

Organizata Botërore e Shëndetësisë përditëson vazhdimisht të dhënat e vaksinimeve nëpër botë.

Deri tani në Kosovë, sipas listës së OBSh-së, në mesin e 100 banorëve, Kosova ka 65 të vaksinuar.

Të vaksinuar me së paku njërën dozë janë 40.5 për qind, kurse të vaksinuar me dy dozat janë 24.5 për qind e popullatës.

Tutje në të dhënat e OBSH-së potencohet se Kosova deri më 19 shtator ka administruar 1.2 milion doza të vaksinës.

Ndërsa, Serbia deri tani ka dhënë 6.3 milionë doza të vaksinës dhe ka 41.2 për qind të popullsisë që kanë marrë dy dozat.

Mali i Zi ka administruar 433 mijë doza të vaksinës, kurse me dy dozat janë vaksinuar 37 për qind e popullatës.

Situatë e ngjashme qëndron edhe me Maqedoninë e Veriut e cila ka administruar 1.4 milion doza të vaksinës, ku me dy dozat janë vaksinuar 32 për qind e banorëve.

Në Shqipëri janë administruar 1.6 milion doza të vaksinës, ku me dy dozat deri tani janë 25.4 për qind e popullsisë.

Listës me më së shumti doza të administruara i prijnë Emiratet e Bashkuara Arabe, në këtë vend janë dhënë 19.4 milionë doza të vaksinës dhe 93 për qind të popullatës tashmë kanë marrë dozën e parë.

Situatën më të rëndë me administrim të vaksinës e ka Republika Demokratike e Kongos, e cila deri tani ka vetëm 0.03 për qind të popullsisë të vaksinuar me dy dozat e vaksines.

Listën e plotë të shteteve me përqindje të vaksinimit e gjeni këtu