'Gara' e aderimeve: Albin Kurti prezanton aderimin nga shoqëria civile

Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht po tregon se po ka anëtarësime në parti. Pas ditës së djeshme ku aderoi Kryetari i Komunës se Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri, Vetëvendosje tregon se në parti është anëtarësuar edhe Gazmend Gjyshinca.

Anëtarësimi i Gjyshnicës është bërë gjatë ditës së djeshme.

“Ai është duke përfunduar magjistraturën në Politikat e Bashkimit Evropian dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Marmara në Stamboll. Gjithashtu, Gazmendi në qershor të këtij viti është pranuar në një program akademik në Zvicër, programi quhet Caux Scholars Program dhe drejtimi që po e ndjekë quhet “Conflict Transformation and Peacebuilding”. Gazmendi flet tri gjuhë të huaja: anglisht, turqisht dhe frëngjisht”, thuhet në njoftimin e LVV-së për anëtarin e ri.

Sipas njoftimit në të kaluarën Gazmendi ka punuar si hulumtues dhe asistent i projekteve në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, ka qenë i përfshirë në projektin për ruajtjen dhe rigjallërimin e kalasë së Vushtrrisë, dhe, ka qenë anëtar i shoqatës ndërkombëtare të studentëve të shkencave politike.

“Gazi i 2017 e i 2019 dallojnë. Të dy për kohën e tyre janë të domosdoshëm. Por, ky nuk është vetëm gazi, ky është gazmend. Krenari e kënaqësi që në radhët tona po afrohen të rinj të spikatur, të urtë e punëtorë. Kemi shumë punë përpara. Do dalim edhe fitues edhe faqebardhë! Dija e vullneti i Gazmendit përveç që janë garancë, janë edhe kushtrim për bashkim. Të rinjtë po mblidhen të përbashkuar, për një qëllim: Qeveri pa korrupsion e krim dhe me vizion për zhvillim”, thuhet tutje në njoftim.