GAP - Veturat mbeten një ndër ndotësit e medhenj të ajrit në Kosovë

Mbi 10 milionë tonelata karburante sillen çdo vit në Kosovë. Pjesa më e madhe e kësaj sasie shpenzohet për veturat që qarkullojnë nëpër rrugët e vendit. Kjo i bën veturat ndër ndotësit më të mëdhenj të ambientit në Kosovë.

Kështu u tha gjatë një konference të mbajtur në kuadër të javës së diplomacisë evropiane klimatike në Prishtinë.

Në vendin tonë qarkullojnë rreth 300 mijë vetura me vjetërsi mesatare 18 vjet ndonëse kriteret e BE janë për tetë vjet.

Nga janari i vitit 2018 kur ka hyrë në fuqi ligji për importimin e automjeteve janë importuar rreth 17 mijë të tilla në krahasim me vitin 2017, ku importi ka shënuar rekord me 34 mijë makina të ardhura kryesisht nga vendet e Evropës perëndimore, duke e shndërruar Kosovën në një varrezë makinash.

Këto të dhëna u shpalosen nga Jeton Mehmeti nga Instituti GAP.

Ligji parashikon që në vendin tonë të mos zhdoganohen vetura me të vjetra se 10 vjet.

Megjithëse ky ligj është miratuar tashmë gati që një vit ai po kritikohet mjaft shumë. Kjo për arsye të akcizës së lartë dhe TVSh-së që aplikohet nga Dogana, pavarësisht të hyrave të ulëta të banorëve të vendit. Nga kjo taksë buxheti i shtetit ka përfituar 40-45 milionë euro deri  tani.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.