GAP: 2.6 milionë euro do të duhet të rimbursohen Universitetet Publike pas arsimit falas

Që nga 1 tetori i këtij viti, arsimi i lartë publik në Kosovë është bërë pa pagesë në 7 Universitetet Publike. E Instituti GAP ka publikuar sot raportin “Ndikimi buxhetor i arsimit falas në Universitetet Publike”.

Sipas këtij raporti, shuma e vlerësuar e të hyrave vetanake që do të duhet të rimbursohen shtatë Universitetet Publike nga Buxheti i Kosovës është rreth 2.6 milionë euro.

“Si përfundim nga hulumtimi, rekomandohet që Ministria e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të punojë në ndërtimin e mekanizmit të buxhetimit të bazuar në performancë, i cili kërkon përpilim të saktë të indikatorëve të performancës dhe ngritjen e kapaciteteve të mekanizmave vlerësuese”, tha Rrona Zhuri hulumtuese në Institutin GAP.

Jeton Mehmeti, drejtor i hulumtimeve në GAP, tregoi se qëllimi i këtij raporti është të analizojë ndikimin e mundshëm të Udhëzimit Administrativ nr. 09/2021 për aplikimin e pagesave të studentëve në të hyrat e universiteteve publike në Kosovë.

Ai theksoi se edhe pse në bazë të Ligjit për Arsimin e Lartë, burimet kryesore të financimit të universiteteve publike janë granti qeveritar, pagesat direkte nga ana e studentëve si dhe të hyrat nga puna kërkimore, vetëm granti qeveritar përbën rreth 91% të buxhetit të tyre.

Kurse, Dukagjin Pupovci, zëvendësministër i MASHTI-t, tregoi se miratimi i UA të ri paraqet një përmbushje të premtimeve zgjedhore.

Sipas tij, tarifat e shkollimit për herë të parë mbulohen në mënyrë që të stimulohen studentët duke nxitur një shkallë më të lartë të përgjegjësisë tek ata. Ai theksoi se buxheti i universiteteve publike nuk është i përcaktuar në ndonjë formulë apo kriter, por sipas nevojave të universiteteve.

“Në vitin 2022 do të ketë rritje të buxhetit për Universitetet Publike, e që gjithsej do të jetë në vlerë rreth 50 milionë euro”, tha Pupovci.

Ai në fund theksoi edhe rëndësinë e investimeve shtesë në universitete, duke i inkurajuar të përfshihen në projekte ndërkombëtare si pjesëmarrja në ‘Horizon Europe’, ‘Erasmus +’ dhe të tjera.

Aqim Emurli, lider i ekipit në ‘HERAS Plus’, theksoi se Universitetet Publike dhe MASHTI duhet të ndjekin trendet e rajonit dhe më gjerë sa i përket financimit të tyre. Mbështetja financiare sipas raportit të perforamancës, si modeli austriak, do të ishte shumë favorizues edhe në Kosovë. Ai theksoi gatishmërinë e ‘HERAS Plus’ që të ndihmojnë universitetet në ngritjen e kapaciteteve institucionale.

Në këtë diskutim kontribuuan edhe pjesëmarrës tjerë si prorektorë të Universiteteve Publike dhe organizata vendore e të huaja që merren me fushën e arsimit të lartë.

Raportin e plotë mund ta gjeni të bashkangjitur në këtë e-mail ose duke klikuar këtu.

Arsimi publik falas është për nivelin Bachelor dhe Master. Në të kaluarën, për studime Bachelor në Universitetet Publike, studentë kanë paguar 25 euro për semestër. Ndërsa, pagesa për semestër për studimet në nivelin Master ka qenë 150 euro.

Arsimi i lartë publik falas, Nagavci thotë se janë ndarë 1.7 milion euro

.