Ganimete Musliu thotë se është kërcënuar dhe se një person është arrestuar

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se ka marrë kërcënime të shumta nëpërmes rrjeteve sociale.

Ajo poashtu ka deklaruar se Policia e Kosovës e ka njoftuar atë se një person është arrestuar për kërcënimin ndaj saj.

Musliu theksoi se ka marr kërcënime edhe me prerje koke.

“Ju konfirmoj se, pas seancës parlamentare ku po diskutohej për 100 diteshin e qeverisë dhe debatit tim me Kryetarin e Kuvendit z. Glauk Konjufca, nga militantët e VV-së, kam marrë shumë kërcënime duke filluar nga ato seksuale, vrasje e deri te prerja e kokës me sakicë”, ka thënë Musliu.

Ajo tutje theksoi se rasti është denoncuar në polici dhe në bazë të informacioneve që ka një person është intervistuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Tashmë me është konfirmuar se një person është intervistuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.  Po ashtu më janë rekomanduar disa masa të cilat unë do t’i përfillë me përpikëri”, është shprehur Musliu.

Sot gjatë ditës ka reaguar edhe Partia Demokratike e Kosovës përmes shefi të deputetëve, Abelard Tahiri.

Në komunikatë potencohet  se fjala e lirë në vend është e kërcënuar dhe kjo është alarmante.

Në komunikatën e PDK-së theksohet se, pushteti aktual i cili përmes sulmeve ndaj shtetit e linçimeve publike ka ardhur në krye të institucioneve, sot është përgjegjës për kërcënimin e demokracisë dhe shprehjes së mendimit të lirë.

Lidhur me këtë PDK ka ftuar Policinë e Kosovës dhe organet e drejtësisë që të veprojnë urgjentisht dhe çdo sulmues ta sjellin para drejtësisë.

PDK po ashtu ka ftuar edhe mediat dhe qytetarët që mos të bien pre e asnjë kërcënimi për ta shprehur mendimin e tyre, ndërsa institucionet e rendit dhe drejtësisë janë të obliguara që në përputhje me Kushtetutën e ligjet, të garantojnë fjalën e lirë në Kosovë.