Ganimete Musliu: Rri kryeministër, mos ik, frikacak!

Përderisa deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu, e kishte fjalën për të diskutuar në debat parlamentar për rritjen e çmimit të energjisë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti u ngrit për t’u larguar nga seanca.

Musliu iu drejtua Kurtit duke e quajtur frikacak dhe duke i kërkuar të mos i ikte përgjegjësisë.

“Rri more rri, mos u frigo o kryeministër, mos ik prej përgjegjësisë, hajde ulu këtu. Frikacak”, ka thënë Musliu.

Ajo për kryeministrin Kurti tha se nga ai i premtimeve, sipas saj,  është kthyer në kryeministër të arsyetimeve.

“Kryeministri i premtimeve sot është shëndruar në kryeministër të super arsyetimeve. Si rezultat ky kombini na e qet në pah një të vërtetë, e kjo e vërtetë është Kurti i super fajësimeve “, u shpreh Musliu.

Tutje, deputetja kritikoi deklaratat e Kurtit në lidhje me energjinë, duke thënë se ato janë ofenduese.

“Sot kur përballemi me këtë krizë serioze të energjisë, ky regjisor i kësaj tragji-komedie na del me deklarata super ofenduese dhe luan rolin e mësuesit se si duhet të sillen qytetarët karshi energjisë elektrike”, ka thënë Musliu.

“Albin, qeverisje nuk do të thotë të filozofosh në rrjete sociale , do të thotë përgjegjësi dhe menaxhim, do të thotë edhe guxim dhe përballje me sfidat çfarëdo qofshin ato , e ty të mungojnë këto veti. Zelli i kësaj Qeverie ishte i fokusuar në kundërshtim të çdo iniciative për shtimin e kapaciteteve të reja prodhuese, duke imponuar nevojën emergjente për import që na kushton shuma marramendëse e që po i vuan xhepi i qytetarëve “, ka shtuar ajo.

Gjithashtu, Musliu ka thënë se populli duhet të alarmohet pasi sipas saj ka filluar të rikthehet një epokë e frikshme në Kosovë, epoka e komunizmit.

“Populli duhet të alarmohet se ka filluar të rikthehet një epokë e frikshme në Kosovë – epoka e komunizmit dhe nëse një strategji është duke i funksionuar perfekt Albin Kurtit është strategjia komuniste; fillimisht varfëroje popullin e pastaj sundoje atë”, deklaroi Musliu.