Ganimete Musliu: Qeveria Kurti për 30 ditë nuk bleu as 30 vaksina

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, në debatin parlamentar për gjendjen me pandeminë COVID-19 ka kritikuar Qeverinë e Albin Kurtit për menaxhimin e situatës me COVID-19.

Musliu tha se për 30 ditë qeverisje Qeveria Kurti nuk ka arritur t’i blejë 30 vaksina kundër COVID-19.

Ajo bëri thirrje për bashkëpunim në mes partive politike pavarësisht dallimeve politike.

“Për 30 ditë nuk keni arritur të bleni 30 vaksina dhe keni bërë menaxhim të dobët të pandemisë COVID-10. Që nga fillimi i pandemisë kemi tre qeveri, për të tre këto jemi angazhuar që të japim propozime serioze për menaxhimin e COVID-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike por nuk kemi hasur në bashkëpunimin e duhur”, tha ajo.

Deputetja Musliu kritikoi mospraninë e kabinetit qeveritar në sallë të Kuvendit.

“Leje Facebook-un kryeministër edhe ju ministri Vitia, lëreni fushatën por silleni programin qeverisës,  bëhuni më serioz, veç sot pamja e kabinetit tregon se me sa seriozitet e keni marrë vaksinimin e qytetarëve të Kosovës”, shtoi Musliu.