Ganimete Musliu nuk pi ujë në gotë të plastikës, i thotë Fitore Pacollit 'Po ta respektoj kërkesën'

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Ganimete Musliu nuk ka pirë ujë gjatë mbledhjes së Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi dhe Zhvillim duke thënë se do respektojë kërkesën e Fitore Pacollit për mos përdorim të plastikës.

“Nuk po pi ujë zonja Pacolli, po ta respektojë kërkesën që ke pasur për mos përdorim të plastikës, gotat këtu qenkan plastike” – tha ajo.

Kryetarja e këtij komisioni Fitore Pacolli tha se kjo është çështje e administratës duke mos u deklaruar më gjatë.

Komisioni në këtë mbledhje kaloi në lexim të dytë projektligjin për zgjatje për 3 vite të trajtimit të ndërtimeve pa leje.

Në nëntor të vitit të kaluar, Deputetja, Fitore Pacolli Dalipi kishte filluar një iniciativë për zëvendësimin e shisheve të plastikës me ato të qelqit në Kuvendin e Kosovës.

Sipas saj, kjo do të kursente edhe buxhetin e Kuvendit i cili shpenzon 9 mijë euro në muaj për furnizimin e deputetëve me ujë në shishe të plastikës.

“Po e shihni një ndryshim, keni shishe dhe gota të qelqit ky komision për mjedis në javën e kaluar ka marrë vendim që Kuvendi i Kosovës t’i bashkohet shteteve të Evropës. Nëse shkojmë në maksimum të vlerave për një muaj, grumbullohen rreth 8 mijë shishe të plastikës që ne shpenzojmë çdo muaj, por nëse i zëvendësojmë ato me shishe të qelqit në do të kursejmë edhe buxhet të Kuvendit të Kosovës”, pati thënë ajo.

Fitore Pacolli Dalipi: Kuvendi shpenzon rreth 9 mijë euro për furnizim me ujë në muaj