Ganimete Musliu kërkon shkarkimin e ministrit Armend Mehaj

Ganimete Musliu, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, ka kërkuar nga ministri i Mbrojtjes sqarime se çfarë grade ushtarake mban burri i presidentes Vjosa Osmani dhe për çfarë arsye ka marrë pjesë si i uniformuar në ushtrimin “Defender Europe 21”.

“Si rezervist që është ai, a është i obliguar të marr pjesë në trajnime, kur është ftuar, në sa trajnime ka marr pjesë, kur i ka mbajt ato. A ka pas ftesë për pjesëmarrje. Nëse po nga kush është ftuar, nëse s’ka pas ftesë atë herë në çfarë cilësie ka marr pjesë. Nëse ka qenë si burri i presidentes pse e ka vesh uniformën e FSK-së. Nëse ka marr pjesë si ushtarak rezervë, atë herë pse është pozicionuar afër gjeneralit të FSK-së kur këtë nuk ia lejon grada”, tha Musliu.

Musliu kërkoi të dijë a është kjo shkelje e protokollit ushtarak, shkelje e ligjeve dhe rregullave të aprovuara, shkelje e Kushtetutës nga presidentja dhe keqpërdorim i pozitave zyrtare për interesa individuale.

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, nuk iu është përgjigjur kësaj pyetje duke thënë se për këtë temë ka folur Komandanti i FSK-së.

“Defender Europe 21 ka qenë një stërvitje e përbashkët e mbrojtjes shumëkombëshe e drejtuar nga ushtria amerikane. Kemi pas nderin që të jemi një prej 16 vendeve nikoqire të stërvitjes. 27 shtete kanë marr pesë dhe mbi 28 mijë ushtarë oficer ushtarak, në mesin e tyre kanë qenë 330 pjesëtar të FSK-së.  Çdo tentim për zbehjen e këtij imazhi na dëmton e nuk na bënë nder. Unë nuk do të lëshohem të kumtoj gjëra. komandanti i FSK-së është përgjigj në komisionin parlamentar për Siguri dhe në media”, tha ministri Mehaj.

E deputetja Musliu, ka kërkuar nga LVV-ja ta shkarkoj ministrin Mehaj.

“Ju lus juve që të kërkoni shkarkimin e këtij ministri i cili nuk e din për çka është ministër. Një përgjigje të tillë nuk e kisha prit nga askush tjetër e lërë më nga një ministër i FSK-së. Ajo çka duhet të bëni që të kërkoni shkarkimin e këtij ministri që nuk i din kompetencat e veta”, tha ajo.