Ganimete Musliu i drejtohet ministres Hajdari: Kthjelluni ministre se nuk jeni në tokë të bukës!

Gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka përmendur gjendjen të cilën e ka gjetur ajo kur e ka filluar punën si ministre. Sipas saj, ajo ka trashëguar një situatë kur s’ka pasur formalizim të tregut të naftës.

“Vërtetë është mirë ta informojmë qytetarin apo ta keqinformojmë? Unë për shembull kam trashëguar një situatë kur s’ka pasur formalizim të tregut të naftës, kam gjetur 700 pika të paformalizuara të karburanteve të shitjes me pakicë të naftës, prej 700 pikave ishin vetëm 200 pika të regjistruara dhe 500 tjera të paregjistruara”, ka treguar Hajdari.

Ajo ka thënë se arsyeja për këtë ka qenë ngaqë ka munguar formalizimi i nevojshëm për këto pika të karburanteve.

“Pse? Sepse kishte munguar ligji i naftës, kishte munguar formalizimi i nevojshëm për këto pika të karburanteve dhe aq më shumë sipas ligjit për leje dhe licencat nuk ishte aplikuar si duhet, pra për t’i faturuar për regjistrim këto pika të karburanteve të naftës vetëm 50 euro janë faturuar 3 mijë euro dhe aq më shumë janë faturuar edhe 3 mijë euro tjera në xhepa…”, ka potencuar ministrja.

Mirëpo këtyre deklaratave i është përgjigjur Ganimete Musliu, deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës PDK, e cila iu drejtua ministres Hajdari duke thënë se kjo e fundit është me fat që kur ka ardhur në pushtet ka gjetur një trashëgimi institucionale.

“Ministre, me të gjitha defektet që ti i ke hasur në trashëgiminë institucionale, unë të xhelozoj sepse mbi të gjitha ti ke gjetur një trashëgimi dhe një vijë institucionale”, i është drejtuar Musliu, e cila tutje ka theksuar gjendjen në të cilën kanë punuar pushtetarët në Kosovë në vitet e paluftës.

“Çka kemi trashëguar ne kur kemi ardhur në pushtet? E kemi trashëguar Kosovën e djegur. Qytetarët kanë jetuar nëpër tenda ministre po harroni, nuk kemi pasur shkolla, nuk kemi pasur universitete, nuk kanë pasur fare paga qytetarët, dhe ne e kemi futur shtetin në rrugë institucionale”, ka thënë Musliu e cila ka vijuar duke i thënë ministres Hajdrari se nëse parardhësit e saj do të kishin vajtuar për situatën e Kosovës, gjendja në shtet do të kishte mbetur njëjtë si në ditët e pasluftës.

“Prandaj, nëse mbesim ne duke vajtuar se çka kemi gjetur, sikur paraardhësit tuaj institucionalë të kishin mbetur duke vajtuar e duke kokorisur se çka kanë gjetur, çka kanë trashëguar në këtë vend, sot Kosova do të ishte sikur në vitet e para të pasluftës”, tha deputetja e PDK-së.

Tutje, Musliu i ka bërë thirrje ministres që të reflektojë.

“Prandaj, kthjelluni, reflektoni dhe gjeni zgjidhje për problemet e qytetarëve sepse unë sot gjithçka dëgjova këtu vetëm zgjidhje për qytetarët të cilët sot më shumë se kurrë po ndihen të braktisur nga kjo Qeveri unë nuk pashë që ofruat një zgjidhje ose një alternativë. Sinqerisht po them ju i keni rënë mësysh vetit, ose nuk keni këshilltarë ose familjarë që ua tërheqin vërejtjen për ta parë ku jeni, çfarë bëni dhe si veproni”, ka thënë deputetja.

“Kthjelluni, kthjelluni ministre se nuk jeni në tokë të bukës!” ka përfunduar ajo.