
Ganimete Musliu e konsideron të ulët dënimin e personit që e kishte kanosur, paralajmëron ankesë në Apel
Gjykata e Prishtinës sot e ka dënuar me burg Driton Malokun nën akuzën për kanosje.
Sipas aktakuzës, Maloku ka kanosur deputeten e PDK-së, Ganimete Musliu.
Në një prononcim për KALLXO.com, deputetja Ganimete Musliu ka thënë se dënimi ndaj personit që e kanosi është shumë i ulët.
“Konsideroj se dënimi ndaj personit që më kanosi është shumë i ulët dhe do të konsultohem me avokatin tim për të ndërmarrë veprimet e nevojshme për ta kundërshtuar me ankesë” – ka thënë Musliu.
Deputetja ka folur edhe rreth deklaratës së saj se personi që e kishte kanosur kishte thënë që kishte rënë “nën ndikimin e propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje”
“E ka pranuar dhe dëshmuar në Gjykate vetë i akuzuari përmes avokatit të tij mbrojtës. Unë nuk e njoh dhe nuk kam asgjë personale me të akuzuarin” – ka thënë ajo për KALLXO.com.
KALLXO.com ka tentuar të marrë një koment edhe nga Arlind Manxhuka, sekretar për media i Lëvizjes Vetëvendosje, por ai nuk është përgjigjur në telefon.