ARKIV – Gani Geci, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit - Foto: KALLXO.com

Gani Geci tregon se 10 ditë para vrasjes e kishte takuar Ruzhdi Shaqirin

Në gjykatën e Mitrovicës sot ka vazhduar seanca e radhës e rigjykimit ndaj Gani Gecit, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në Skenderaj

Gjatë kësaj seancë mbrojtjen e ka dhënë i pandehuri Geci.

Ai ka deklaruar se para se të lëshohet komunikata siç e ka quajtur ai 59, ishin rrethuar nga një grup nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK–së.

“Po dua të theksoj se para se më u lëshua komunikata nr 59 me 19.08.1998 mua më është plagosur vëllai nga grupi afërsisht i njëjtë, gjithashtu një ditë para se me u plagu vëllai im Esati 18 vjeçar, një grup i Shtabit të Përgjithshëm më kanë rrethuar mua në Qirez vëllezërit e mi dhe familjen time dhe kanë tentuar të na marrin armët për shkak se ne ishin mbështetës të politikës së presidentit Rugova dhe institucioneve të Republikës së Kosovës“, tha Geci.

Tutje Geci ka shtuar se sipas asaj komunikate çdo ushtarë që do ta takonte do duhej ta vriste.

“Qëllimi i saj ka qenë dy muaj pasi me është plagosur vëllai kanë ardh të me vrasin mua në fshatin Klladernicë si mbështetës për shkak të politikës institucionale, pas këtij rasti e kanë lëshuar komunikatën 59 që do të thotë unë do të duhej të isha vrarë nga secili ushtarë që do ta takoja, kjo ka ndodhur deri në 2020 kur Hashim Thaçi ka kërkuar falje”, tha tutje Geci.

Tutje duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të tij avokatit Ndrecë Dodaj, Geci ka thënë se e kishin paraqitur si pjesëtar të formacioneve serbe, ai ka thënë se ashtu ishte shkruar në të ashtuquajturën “komunikatë“.

“Ajo është e shkruar ashtu gjoja se unë iu kam prirë formacioneve serbe, ajo është e shkruar dhe për këtë arsye kanë tentuar të me vrasin gjithë kohën dhe gjithë ata që kanë tentuar të me vrasin sot janë në burg do në Hagë e disa në burgjet Kosovës, unë për 20 vjet i kam luftuar grupet kriminale së bashku me prokurorinë e gjykatave të UNMIKU-t fillimisht dhe të EULEX-it më vonë, mundem me ju thonë me 100% se nja 30 hetues janë ndërruar gjatë kësaj kohe sa jam marr në pyetje, unë kam luftuar institucionalisht kriminelët“, theksoi tutje Geci.

Gjatë dhënies së mbrojtjes i akuzuari Geci, gjithashtu ka deklaruar se sipas tij nuk kishte pasur probleme me tani të ndjeri Ruzhi Shaqiri.

“Ruzhdi Shaqiri ka qenë nip i fshatit Llaushë, djalë i hallës së Sabit Gecit i cili ka qenë udhëheqës i këtyre grupeve, as me Sabitin as me Ruzhdin nuk kam pas kurrfarë probleme, personale kurrë, kur me kanë rrethu me mi marr armët Ruzhdia me grupin e tyre, vëllai i Ruzhdisë që është vra në luftë e që ka qenë një djalë i mirë ka dal në anën time dhe i ka thanë Ruzhdis hup, edhe aty Ruzhdia ka qenë kryesori, por vëllau i tij na ka shpëtu, krejt problemet kanë qenë politike sepse ata e kanë përkrah një grup ushtarak tjetër ndërsa unë e kam përkrah formacionin ushtarak të Ahmet Krasniqit, Ministrit të Mbrojtjes, i cili është vrarë edhe ai në Shqipëri“, tha Geci.

Geci po ashtu ka thënë se dhjetë ditë para ngjarjes e kishte takuar Ruzhdi Shaqirin, me kërkesën e këtij të fundit.

“Kjo ka ndodh rreth një javë ose 10 dite para se me ndodh rasti nuk e di saktë sa por unë kam qenë në një bazen… më ka thirrë në telefon Nehat Shaqiri, gazetar i gazetës Bota Sot dhe ai më ka thënë po don me fol me ty Ruzhdi Shaqiri, i cili paska qenë atë ditë në redaksi ai me ka thënë ti po i shtinë gazetarët me shkru kundër Hashim Thaçit, kundër UÇK-së. Unë i kam thanë se ato janë raporte të NATO-s, ai më ka thënë ti je shpiun i NATO-s i EULEX-it edhe une s’ja q..n…as NATO-s as EULEX-it me ka thënë ai, unë i kam thënë çka bon ti me NATO punë e jotja, ti ki me m’bo be ku je kon më… 2001 ai më ka thanë unë i marr 50 vjet burg e nuk të bëjë be“, tha Geci.

Gjithashtu i pandehuri Gani Geci me tutje sot në gjykatë ka deklaruar se përveç Sabit Gecit i cili sipas tij është në burg kishte edhe persona tjerë, që sipas tij ishin marr me veprimtari kriminale.

“Është Shkumbin Mehmeti ka qenë pjesë e grupit tyne i cili është pendu dhe ka deklaru, kanë shku e kanë vizitu… ai ka shpjegu të gjitha afërsisht se kanë vra kanë plaçkit për disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm dhe për sipas tij vëllezërit Kelmendi, kjo është në youtube. Mua atëherë nuk më kanë besu as gjykata, nuk me ka besu sepse me thonin po rren se nuk të ka qu letër fare ai Shkumbini, por në 2018 ka dal publikisht në televizion dhe i ka thënë të njëjtat.. ato çka kam thanë unë nëpër deklarata, por ka edhe deklarata tjera që i vërtetojnë ato çfarë kam thënë unë, për shkak të komunikatës 59 unë dhe familja ime kam qenë i përndjekur 20 vjet, kanë tentuar të ma vrasin..”, ka shtuar tutje Geci.

Sipas pas akuzës së prokurorisë e cila ishte ndryshuar me 1 Prill 2016, Gani Geci akuzohet se me katër gusht 2014 në Skenderaj saktësisht në ballkonin e kafeterisë “N’Qosh”, kishte privuar nga jeta, tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri.

Akuza e prokurorisë thotë se kjo kishte ardh si rezultat i një konflikti të më hershëm të datës 19.10.2001 për plagosjen e Gecit dhe vrasjen e dy gazetarëve Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku.

I pandehuri ishte duke dal nga brendësia e kafeterisë dhe po shkonte në drejtim të sheshit bashkë me Zijadin Gecin, përderisa tani i ndjeri Ruzhdi Shaqiri ka qenë bashkë me personat Shani Koca, Nehat Koca, Sinan Hajrizi, Ermal Jusufi, Afrim Rama, Blerim Musliu dhe Emin Lati, të gjithë këta sipas akuzës kishin qenë të ulur në një tavolinë në anën e djathë të ballkonit, duke u futur nga hyrja në lokal.

Derisa tani i pandehuri Geci ishte në shkallët e fundit të dalje nga lokali dhe kishte hedhur shikimin në drejtim të sheshit, papritmas kishte dëgjuar fjalët “Selam Alejkum”, thuhet në akuzën e prokurorisë.

Në atë moment Geci kishte ndalur dhe ishte kthyer nga drejtimi prej nga kishte dëgjuar fjalët dhe sheh Ruzhdi Shaqirin i cili sipas akuzës kishte ngritur dorën e djathtë lartë në ajër dhe pastaj i pandehuri shkon në drejtim të viktimës dhe ballafaqohet me të nga një distancë afërsisht një metër.

Gjithnjë sipas akuzës i pandehuri të ndjerit Shaqiri, i ishte drejtuar me fjalët “a i ke mbledhur pleqtë për t’u betuar se ku ke qenë rreth orës 19:10”.

Aty kishte filluar sherri kur Shaqiri kishte shtyrë tavolinën me këmbën e tij të majtë duke ia kthyer Gacit “zhduku, p…n.., unë nuk ta kam frikën, nxirre dhe gjuaj”, thuhet në akuzë.

Derisa ishte duke thënë këto fjalë Ganiu po ashtu fillon të ngritë dorën e djathtë, e drejton pas shpine dhe me këtë rast, i pandehuri është ndier, sipas akuzës i ofenduar dhe i kërcënuar nga viktima Shaqiri, dhe kishte nxjerr revolen duke shtënë katër herë në drejtim të viktimës.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në – LINK