ARKIV – Gani Geci, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit - Foto: KALLXO.com
Gani Geci deklarohet i pafajshëm për vrasje të Ruzhdi Shaqirit, pranon fajësinë për veprën armëmbajtje pa leje
Sot në gjykatën e Mitrovicës e ka rifilluar gjykimi ndaj Gani Gecit, i cili nga prokuroria akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, vrasje kjo e cila kishte ndodhur me katër gusht 2014 në Skenderaj.
Gjykimi në shkallë të parë ndaj Gecit, kishte përfunduar me tre qershor 2016, me shpalljen e aktgjykimit ndaj tij, ku ai për veprën penale vrasje, ishte dënuar me 4 vjet burg.
Pas leximit të akuzës nga prokurori i rastit, ku pas akuzës së ndryshuar, Geci po akuzohet për tre vepra penale, vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe përdorim i armës, ai u deklarua rreth fajësisë.
Prokurori Naim Beka fillimisht ka hequr dorë nga ndjekja penale për veprën penale përdorim i armës pasi siç ka thënë ai, ajo është konsumuar nga vepra penale e vrasjes.
“Praktika jonë gjyqësore e njeh parimin e konsumimit të cilin e njeh edhe komentari ynë. Pra kjo vepër është e konsumuar me veprën penale vrasje e rëndë, dhe për këtë arsye heq dorë nga pika tre e aktakuzës dhe ndjekjes së të pandehurit për veprën penale përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, tha prokurori Beka.
Kurse akuza ndaj Gecit po vazhdon për dy vepra tjera, vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.
Duke u deklaruar lidhur për fajësinë, Geci ka thënë se për pikën dy armëmbajtje pa leje e pranon veprën ndërsa për pikën e parë, vrasje e rëndë, nuk ndihet fajtor.
“Jam fajtor për mbajtje dhe posedim të armës. Armën e kam mbajtur për mbrojtjen e vetvetes sepse kam pasur disa atentate. Nuk e pranoj fajësinë për veprën penale vrasje e rëndë”, tha Geci.
Por trupi gjykues ka refuzuar pranimin e fajësisë për këtë vepër penale, pasi sipas ligjeve të Kosovës, pranimi i fajësisë shqyrtohet kur pranimi të jepet në të gjitha pikat e dhëna sipas aktakuzës.
Gjykimi në shkallë të parë ndaj Gecit kishte përfunduar me tre qershor 2016, me shpalljen e aktgjykimit ndaj tij, ku ai për veprën penale vrasje, ishte dënuar me 4 vjet burg.
Përveç për vrasje, Geci në atë kohë akuzohej edhe për veprën penale armëmbajtje pa leje dhe përdorim i armës.
Shkalla e parë për armëmbajtje pa leje nga gjykata Geci ishte dënuar me 10 muaj burgim. Ndërsa për veprën penale përdorim i armës gjykata e kishte liruar Gecin nga akuza, duke u arsyetuar se kjo vepër është konsumuar në dënimin për vrasje.
Sipas vendimit të atëhershëm të gjykatës, në dënim unik Gecit do t’i llogariteshin katër vjet e gjysmë burgim.
Mirëpo ky vendim i gjykatës nuk ishte zbatuar asnjëherë për shkak se nuk kishte arritur të marr formën e prerë, pas ankesave të cilat i kishin bërë në gjykatën e Apelit prokurori i EULEX-it dhe mbrojtësi i të akuzuarit avokati Ndrecë Dodaj, ankesa këto të cilat ishin marr për bazë nga gjykata e Apelit.
Kurse me aktvendimin e 26 shtatorit 2017, sa i përket pikës një (vrasje) dhe pikës dy (armëmbajtje pa leje) rasti është kthyer në rigjykim.
Ndërsa sot në gjykatën e Mitrovicës ka rifilluar gjykimi ndaj Gani Gecit, në këtë rast prej kohës kur është kthyer në rigjykim.