Galeria Kombëtare prezanton pikturën e piktores së parë në Kosovë 

Galeria Kombëtare e Kosovës ka prezantuar në faqen e saj në Facebook, pikturën “Portret” të Alije Vokshit. 

Ky prezantim është bërë në kuadër të muzeut virtual dhe është përzgjedhur nga historiania e artit, Vesa Sahatçiu. 

Vepra është punuar në 1972 nga piktorja Vokshi, e cila konsiderohet të jetë gruaja e parë piktore nga Kosova. 

Në veprën ‘Portret’ (1972) paraqitet një grua e moshuar, e cila duket sikur është ulur përballë piktores në një pozitë disi të parehatshme, por stoike. Duart e saja, qëndrimi i saj fizik, flasin për një nënë dhe gjyshe të shtëpisë”, thuhet në njoftimin e GKK-së.