Galeria Kombëtare mbyll sallën ekspozuese

Galeria Kombëtare e Kosovës nga sot mbyll sallën ekspozuese pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për masa shtrënguese kundër luftimit të Coronavirusit.

Salla do të qëndrojë e mbyllur deri në një njoftim të ri nga ana e Minsitrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Arta Bunjaku – Agani, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare ka konfirmuar për Kallxo.com se nga dita e sotme GKK-ja do të mbyllë sallën ekspozuese deri një njoftim të ri nga ana e MKRS-së.

“Kemi marrë vendim me e mbylle prej sot sallën ekspozuese derisa të na lajmërojë ministria ndryshe”, ka thënë Agani.

Aktualisht në GKK është ekspozuar ekspozita e Buri Gashi, e cila ishte paraparë të qëndrojë e hapur deri më 25 mars 2020.

Ekspozita e radhës në GKK është planifikuar të hapet më 2 prill 2020, por drejtoresha Agani ka thënë për se nëse vazhdojnë masat shtrënguese hapja e ekspozitës mund të shtyhet.

Një ditë më parë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, njoftoi institucione kulturore në vartësi të saj se duhet të anulojnë të gjitha aktivitetet kulturore pas vendimit të qeverisë për masat parandaluese në funksion të mbrojtjes nga COVID-19.

“Të gjitha aktivitetet kulturore, shfaqjet teatrale, koncertet, ekspozitat e artit dhe aktivitetet tjera që ndodhin dhe realizohen nga institucionet qendrore të kulturës dhe të trashëgimisë, të cilat janë në varësi të ministrisë, ku ka prezencë të publikut, pezullohen deri në njoftimin tjetër të radhës që do ta bëjë MKRS-ja”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.