
Pamje nga koleksioni i veprave të blera nga MKRS në 2022. Foto: KALLXO.com.
Galeria Kombëtare ekspozon koleksionin e veprave të blera nga Ministria e Kulturës (FOTO)
Galeria Kombëtare e Kosovës ka ekspozuar koleksionin e veprave të artistëve kosovarë të blera nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit gjatë këtij viti.
Në gusht të këtij viti, MKRS publikoi listën prej 80 veprave të artit të blera nga artistë vendorë.
Koleksioni i veprave përfshijnë pikturë, skulpturë, fotografi e instilacione, ndërsa shumat e blerjes së një vepre variojnë nga 1,500 euro deri në 10 mijë euro. Vlera e përgjithshme e blerjes së këtyre veprave nga MKRS ishte 300 mijë euro.
MKRS më së shumti e ka vlerësuar veprën – fotografinë “Dita e Shën Valentinit” e Kolektivit “Haveit”. Për blerjen e kësaj vepre, MKRS ka paguar 10 mijë euro.
Veprat e blera nga MKRS janë pjesë e koleksionit të GKK-së, ndërsa parashihet që shumë prej tyre të shpërndahen nëpër institucione publike dhe në ambasada të Republikës së Kosovës.
Koleksioni i veprave të blera nga MKRS në vitin 2022 do të jetë i ekspozuar në GKK për publikun deri më 15 janar 2023.