Gala mbrëmja 'Rame Lahaj & Friends' mbyll edicionin e katërt të festivalit 'RLIOF'
Gala mbrëmja “Rame Lahaj & Friends” do të përmbyllë edicionin e katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Operas “Ramë Lahaj”, (Rame Lahaj International Opera Festival- RLIOF) që po mbahet në Prishtinë.
Kjo mbrëmje do të mbahet më 02.08.2024 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:30.
Përmes një njoftimi për media, stafi i festivalit “RLIOF” ka bërë të ditur se përveç tenorit Rame Lahaj në skenën e RLIOF në natën e fundit do të ngiten tenorët: Charles Castronovo dhe Murat Karahan.
“Në skenën e ngritur në zemër të kryeqytetit, tenori kosovar Rame Lahaj do të shoqërohet nga Charles Castronovo, i njohur ndërkombëtarisht si një nga tenorët më të mirë të brezit të tij, si dhe Murat Karahan, një yll i operas me mbi 50 role kryesore në të gjithë botën, i vlerësuar si ‘artisti më i suksesshëm operistik i vitit’”- thuhet në njoftimin e RLIOF.
Sipas njoftimit, gjatë këtij koncerti, tre tenorët (Lahaj, Castronovo dhe Karahan) të shoqërohen në skenë nga Orkestra e Operas së Kosovës, e udhëhequr nga dirigjenti Sascha Goetzel.
Me motot “T’knoft zemra”, edicioni katër i festivalit “RLIOF” ka nisur më 21.07.2024.
Gjatë këtij edicioni kanë performuar artistë të njohur shqiptarë dhe të huaj.