Gabriel Escobar

Gabriel Escobar merr detyrën e re të përfaqësuesit për Ballkanin Perëndimor

Zëvendësndihmës-Sekretari Amerikan i Shtetit Gabriel Escobar është emëruar përfaqësues i posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Kështu ka njoftuar të martën Ambasada e ShBA-së në Kosovë.

Në njoftim thuhet se Escobar është gjithashtu i angazhuar në dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas Ambasadës, ai po angazhohet edhe në zhvillimet në Bosnje dhe Hercegovinë.

Tensionet në Bosnje janë në rritje pasi entiteti i Republika Sërpskës ka ndërmarrë disa veprime kohën e fundit, të cilat janë vlerësuar se po dëmtojnë rendin kushtetues të vendit dhe udhëheqësi serb i Bosnjës, njëherësh anëtar i presidencës trepalëshe, Millorad Dodik, ka kërcënuar me ndarjen e Republika Sërpskës – entitet i banuar me shumicë serbe, ka raportuar REL. 

“Urime Përfaqësuesi i ri Special në Ballkanin Perëndimor, zëvendësndihmës-Sekretari Gabriel Escobar! Ai tashmë është duke punuar në dialogun Serbi-Kosovë të lehtësuar nga BE, duke siguruar pranimin rajonal në BE dhe duke ushtruar presion ndaj krerëve të Bosnjës për të çuar përpara reformën dhe për të respektuar sovranitetin/integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës në Facebook.