Gjykimi ndaj Xhabir Zharkut - 08.12.2020 - FOTO KALLXO

Gabimi tragjikomik i Kolegjit të Apelit në vendimin për aktakuzën ndaj Xhabir Zharkut

Në vendimin me të cilin Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e Xhabir Zharkut rreth pretendimeve të tij për hedhje të aktakuzës, duket se Kolegjit të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, u është ngatërruar një pjesë e aktvendimit të këtij rasti me një tjetër rast.

Gjykata e Apelit ka vendosur që ta refuzoj ankesën e mbrojtëses së të akuzuarit Xhabir Zharku, avokates Albana Kelmendi, e cila ka kërkuar hedhjen e aktakuzës me pretendimin se për veprën penale për të cilën po akuzohet Zharku ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes.

Xhabir Zharku akuzohet për shpërdorim të detyrës zyrtare, për dhënien e lejes së ndërtimit në një pronë të komunës së Kaçanikut, përderisa kishte qenë kryetar i kësaj komune.

Mirëpo në vendimin e Gjykatës së Apelit të siguruar nga KALLXO.com, të nxjerrë nga kolegji i gjyqtarëve të përbërë nga Burim Ademi si kryetar i kolegjit, me gjyqtarët Gordana Vlaskovic dhe Xhevdet Abazi, në një pjesë të këtij vendimi shihet një lëshim “jo fort i këndshëm” i gjyqtarit, kjo për faktin se vërehet se gjyqtari në këtë aktvendim e ka përfshirë edhe një pjesë tjetër nga një aktvendim i një çështjeje tjetër gjyqësore.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, duke propozuar që ankesa e mbrojtësit së të pandehurit të refuzohet si e pa bazuar, sepse nuk qëndron pretendimi i Prokurorit të Shtetit se e dëmtuara është për tretman në QKUK në Prishtinë, sepse e njëjta ka lindur dhe është nënë e një vajze dhe tani gjendet nën përkujdesjen e familjes së saj, andaj propozon që aktvendimi i ankimuar të vërtetohet”, thuhet në një pjesë të këtij vendimi, për çka vërehet se është një gabim/lëshim i gjyqtarit të çështjes, kjo për faktin se së pari i akuzuari është i gjinisë mashkullore, i njëjti në këtë procedurë nuk është palë e dëmtuar por i akuzuar, e po ashtu nuk ka pretendime se i njëjti është në tretman mjekësor dhe se ka lindur fëmijë.

Lidhur me këtë gabim/lëshim të gjyqtarit, KALLXO.com ka kërkuar një sqarim zyrtar nga Gjykata e Apelit, të cilët na kanë konfirmuar se një gjë e tillë ka ndodhur si pasojë e një lëshimi teknik dhe të njëjtit kanë deklaruar se në të ardhmen do të kujdesen që gabime të tilla të ndodhin sa më pak.

“Është një lëshim teknik, njerëzor, që vjen si rezultat i ngarkesës në punë. Gjykata e Apelit do të kujdeset që konform dispozitave ligjore të KPP-së, të nxjerrë një aktvendim përmirësues. Gjykata e Apelit  do të përpiqet  maksimalisht që gjerat e tilla të përsëriten sa më pak në të ardhmen”, thuhet në përgjigjen e pranuar nga Gjykata e Apelit.

Lidhur me akuzën për shpërdorim të detyrës zyrtare, Zharku në dhjetor të vitit të kaluar ishte deklaruar i pafajshëm.

Pas deklarimit lidhur me fajësinë dhe refuzimit të kërkesës për hedhje të aktakuzës nga Gjykata e Ferizajt, mbrojtësja e të akuzuarit Xhabir Zharku, avokatja Albana Kelmendi kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Sipas Kelmendit, Gjykata e shkallës së parë nuk i ka shtjelluar dhe çmuar ekzistimin e pengesave juridiko-penale për ndjekjen penale kjo për faktin se sipas avokates për këtë rast ka arritur parashkrimi absolut.

Avokatja e Xhabir Zharkut, Albana Kelmendi në ankesën drejtuar Gjykatës së Apelit ka pretenduar se Gjykata e shkallës së parë me refuzimin e kërkesës për hedhje të aktakuzës nuk ka marrë për bazë faktin se vepra e shpërdorimit të detyrës zyrtare që me Kodin e Përkohshëm Penal është e ndëshkueshme prej 1 deri në 8 vite burgim, do të duhej të rikualifikohej në veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga Kodi i vjetër Penal i vitit 2012, në bazë të të cilit, për këtë vepër ishte paraparë dënimi prej 6 muaj deri në 5 vite burgim.

Ky rikualifikim sipas pretendimit të palës mbrojtëse duhet të bëhet duke u bazuar në nenin 3 të Kodit Penal, që parasheh se në rast se ligji në fuqi ndryshon para shqiptimit të vendimit të formës së prerë, atëherë ndaj kryesit zbatohet ligji që është më i favorshëm.

Mirëpo përkundër pretendimeve të palës mbrojtëse, Gjykata e Apelit ka ardhur në përfundim se pretendimet e palës mbrojtëse janë të pa bazuara, kjo për faktin se sipas kësaj Gjykate, aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Ferizajt ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari e ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.

Sa i përket pretendimit të mbrojtjes se ka parashkrim absolut nëse merret për bazë Kodi Penal që ishte në fuqi deri në prill të vitit 2014, si Kod më i favorshëm për të akuzuarin, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se marrë për bazë faktin se në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë në fuqi Kodi i Përkohshëm Penal në bazë të të cilit është cilësuar edhe vepra penale, ndërsa tani që është në fuqi Kodi i ri Penal që nga prilli i vitit 2019, duke u bazuar në këto rrethana, duhet që të kalohet në shqyrtim gjyqësor për t’u vërtetuar këto fakte apo fakte të reja dhe për t’u vërtetuar se a ka parashkrim apo jo.

Sipas Prokurorisë, Xhabir Zharku në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e një objekti për banim kolektiv dhe lokale afariste e cila ka qenë pronë e komunës dhe të njëjtën ia ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm kompanisë “Çlirimtari”.

Tutje ai akuzohet për shkak se sipas Prokurorisë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare në atë mënyrë që pas përfundimit të një çështje gjyqësore në Gjykatën e Kaçanikut kishte urdhëruar avokaten e Komunës që mos të parashtrojë ankesë ndaj vendimit të Gjykatës, duke i mundësuar përfitim pasuror në atë kohë paditësit – Kompanisë “Bardhi”.

Zharku ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2019, nën dyshimet se gjatë viteve 2008-2010, ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare në kohën kur ishte kryetar i Komunës së Kaçanikut.

Gjithashtu Xhabir Zharku, në vitin 2011, ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale detyrim dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa pas kësaj ishte arratisur nga Kosova, ku kishte jetuar në Suedi duke iu shmangur vuajtjes së dënimit. Në shtetin skandinav, ai kishte jetuar për gati pesë vjet e gjysmë, derisa në qershor të vitit 2018, ai ishte kthyer në Kosovë, pasi që kishte kaluar afati për ekzekutimin e dënimit ndaj tij.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

https://kallxo.com/ligji/xhabir-zharku-nuk-deklarohet-per-fajesine-kerkon-provat-nga-prokuroria-me-theks-deklaratat-e-deshmitareve/