"Gabimi teknik" që e punësoi kandidatin pa e kaluar testin

Kur u dolën rezultatet e testimit me shkrim u rendit si i 87-ti me vetëm 40 pikë.

Por, kur u shpallën rezultatet e kandidatëve të suksesshëm, Bekim Sadiku u rëndit si i pari me 328 pikë.

Për këto dallime në pikë, në mes testimit me shkrim dhe intervistës me gojë, nga “Trepça” thanë se është bërë “gabim teknik gjatë numërimit të pikëve”.

Ka disa ditë që disa qytetarë nga Mitrovica kanë protestuar rreth një konkursi që u hapën kohën e fundit në ‘Trepçë

Për pozitën e punës “Punëtor në Flotacion- Tuneli Parë” hynë në testim me shkrim 107 persona.

Kalueshmëria ishte paraparë të jetë 50 për qind të pikëve, kështu 81 aplikues e kaluan testin me shkrim, ndërsa 26 të tjerë nuk arritën.

Në pozitën e 87 ishte renditur një aplikues me emrin Bekim Sadiku. Por, kur u publikua “Lista përfundimtare e kandidatëve të suksesshëm për pozitën – Punëtor në Flotacion – Tuneli i Parë”, Sadiku doli si pari me më së shumti pikë.

Nga 21 aplikantë që fituan pozitën e punës “Punëtor në Flotacion – Tuneli i Parë”, Bekim Sadiku mori plotë 328 pikë.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në zyrën për media të Shoqërisë Aksionare “Trepça” për të pyetur se si është e mundur që një aplikues i cili nuk e ka kaluar testin me shkrim të dalë i pari në listën për pozitën.

Sipas përgjigjes, Komisioni për Ankesa ka gjetur se janë bërë gabime teknike gjatë numërimit të pikëve të kandidatëtve.

“Lidhur me kërkesën e juaj për informacion lidhur me rastin e Bekim Sadiku, aplikant i pranuar në pozitën Punëtor në Flotacion – Tuneli i Parë, ju njoftojmë se i njëjti pas paraqitjes së ankesës ndaj rezultateve të testeve me shkrim dhe pas shqyrtimit të kësaj ankese nga ana e Komisionit të Ankesave është konstatuar se në testin e tij është bërë gabim teknik gjatë numërimit të pikëve të testit dhe pas vendimit të Komisionit të Ankesave i njëjti ka hyrë në listën e personave që kanë kaluar testin me shkrim, ndërsa në intervistë gjithashtu është treguar i suksesshëm dhe pas llogaritjes së pikëve ka dalur rezultati si në listën përfundimtare”, thuhet në përgjigjën e “Trepçës”.

Që nga fillimi i muajit shkurt, disa banorë të Shalës së Bajgorës kanë protestuar mbi konkursin e hapur në “Trepçë”.

Ata kanë akuzuar menaxhmentin se kanë bërë favorizime në punësime. Por, këtyre zërave i është përgjigjur drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Basri Ibrahimi.

FOTO- Protesta për punësimet në Trepçë, bllokohet rruga

KALLXO.com ka raportuar në të kaluarën kur në “Trepçë” u hap një konkurs në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit.

Kjo ndërmarrje publike hapi një konkurs në muajin shtator të vitit të kaluar ku kërkonte 220 punëtorë.

Qeveria Emëron Kundërligjshëm Anëtarë të Bordit të ‘Trepçës’

www.kallxo.com