G7, ilustrim

G7 fton Kosovën dhe Serbinë t’i normalizojnë marrëdhëniet përmes një marrëveshje gjithëpërfshirëse

Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7 pas një takimi të përbashkët i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

G7 ka bërë thirrje që të dyja shtetet të zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e kaluara pa u vonuar.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e kaluara pa vonesa dhe të normalizojnë marrëdhëniet e tyre përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme”, thuhet në komunikatën e përbashkët të G7.

Sipas tyre marrëveshja do të mundësojë realizimin e perspektivave përkatëse evropiane që kontribuojnë në stabilitetin rajonal nga të cilat përfitojnë të gjithë njerëzit në rajon.

Tutje në njoftimin e publikuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar thuhet se G7 janë të shqetësuar për thellimin e krizës politike në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Dënojmë çdo përpjekje për të minuar unitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Ne nuk do të tolerojmë politikat e Republikës Srpska, të cilat rrezikojnë të ardhmen e Bosnjë-Hercegovinës dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në komunikatë.

Ky grup, që përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia ka kërkuar të lihet mënjanë retorika përçarëse dhe nxitëse duke shmangur çdo akt që mund të destabilizojë Bosnjën dhe Hercegovinën.

“Ne kërkojmë kthimin në funksionalitet të plotë të qeverive në të gjitha nivelet për të rifilluar plotësisht punën e tyre, duke lënë mënjanë retorikën përçarëse dhe nxitëse dhe duke shmangur çdo akt që mund të destabilizojë Bosnjën dhe Hercegovinën”, thuhet në komunikatë.

Ministrat e Jashtëm të G7-s kanë zhvilluar të shtunën një takim të përbashkët në Gjermani.