Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Futen në rend dite për votim raporti i AKP-së dhe i ARKEP-it

Me 63 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vendosur që në rend të ditës së raporti vjetor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe ai i bordit ARKEP.

Ky propozim erdhi nga  Mimoza Kusari Lila, u.d kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në seancën e sotme, propozoi që të futen këto dy pika shtesë të rendit të ditës.

Ky propozim u kundërshtua nga AAK, PDK, dhe LDK.

Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të LDK-së tha se këto janë çështje serioze të cilat nuk po trajtohen me seriozitet.

“Çështjet po vinë në Kuvend me urgjencë, s’po kuptojmë pse këto urgjenca, me urgjencë ligjet vendimet, pa u shqyrtu në grupet parlamentare, ky imponim po më duhet i paarsyeshëm, është e paarsyeshme që sot të merremi me çështjen e ARKEP dhe bordit të AKP-së. Këto janë propozime të rëndësishme dhe po trajtohen në mënyrë joserioze”, tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në seancën e sotme që po diskutohet për futjen në rend dite raporti vjetor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit si dhe ai i bordit ARKEP, tha se me këtë LVV po tenton ta kapë shtetin.

“Grupi parlamentar i AAK e sheh këtë qasje dhe këtë logjikë të kontrabandimit të temave në seancë, ne e shohim si një logjik e gabuar që nuk është në frymë parlamentar edhe mbi të gjitha lidhet me një temë që s’ka urgjencë”, tha Tahiri.