Futbolli i Kosovës, ndërmjet pandemisë dhe garave evropiane

Bazuar në vendimin e fundit të Unionit të Federatave të Futbollit të Evropës (UEFA), ndeshjet në kampionatet e futbollit në Kosovë duhet të përfundojnë më së largu më 20 korrik dhe tashmë Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) do të nisë përgatitjet për rifillimin e garave, të cilat janë ndërprerë për shkak të pandemisë së koronavirusit, njoftojnë zyrtarët e kësaj federate.

Siç thonë ata, më 21 prill UEFA ka mbajtur video-konferencë me të 55 anëtarët e kësaj federate ku është diskutuar çështja e rifillimit të kampionateve dhe ndeshjet parakualifikuese për edicionin e ri në Ligën e Kampionëve, si dhe për Ligën e Evropës të UEFA-s.

Sipas tyre, ky vendim i UEFA-s vlen për të gjitha vendet që janë të renditura mbi numrin 16 të ranglistës së UEFA-s, ndërkaq të parat kanë afat deri më 2 gusht.

Kosova në garën parakualifikuese për Ligën e Kampionëve duhet të dërgojë ekipin fitues të Ipko Superligës, ndërkaq nënkampioni i kësaj lige dhe fituesi i Kupës së Kosovës, do të garojnë në Ligën e Evropës.

Në fund të majit, rinisin kampionatet?

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, thotë për Radion Evropa e Lirë që për të përfunduar gjirot në kampionate, brenda afatit të caktuar nga UEFA, garat do të duhej të rinisin më së largu në dhjetë ditët e fundit të muajit maj.

“Ne i kemi edhe 11 gjiro. Për fat të mirë e kemi sistemin e trefishtë dhe janë zhvilluar vajtje-ardhje 22 gjiro dhe kanë mbetur edhe 11 (në Ipko Superligë). Kështu që, brenda këtij afati kemi mjaft kohë dhe shpresoj që të kemi edhe mundësi, që ky virus të pushojë. Mendoj që për një muaj e gjysmë, do t’i kryejmë pa problem. Në garat e Kupës (së Kosovës) i kemi katër ekipe që kanë mbetur në fazën finale dhe do të kryhet edhe ajo. Por, mund të ndodhë që këtë ta bëjmë edhe në ndonjë formë të turnirit apo mini-turnirit për garat e kupës, pra të zhvillohen ndeshjet në një stadium dhe pastaj finalja. Pra, mundësitë dhe opsionet janë të shumta”, tha Salihu.

Arbnor Morina, trajner i futbollit i licencuar nga UEFA, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që përfundimi i garave deri më 20 korrik do të jetë mjaft i vështirë për klubet, por edhe për vet futbollistët e ekipeve veç e veç. Sipas tij orari ndeshjeve do të jetë shumë i ngjeshur dhe klubet duhet të insistojnë për të paktën dy deri tre javë afat për një fazë përgatitore.

“Kjo për arsye se (deri më tash) futbollistët kanë punuar në mënyrë individuale dhe me plane individuale. Nevojitet që të jenë në grup që të vazhdohet puna e cila ka qenë më herët, para se të ndërpritet për shkak të COVID-19. Do të thotë, do të ketë mjaft probleme sa i përket kësaj pjese sepse tashmë kemi të bëjmë me një kohë ku temperaturat janë më të larta se sa kur është ndërprerë kampionati. Duhet të shohim se në cilën fazë dhe deri në cilin nivel janë të përgatitur lojtarët kur të kthehen që të punojnë në grup, dhe si të konceptohet puna në grup në mënyrë që të nxirret maksimumi nga këta lojtarë e që ata të mos kenë lëndime dhe sëmundje”, tha Morina.

Ai shtoi që nëse arrihet që të rifillojnë garat, jo vetëm deri në përfundim të këtij kampionati, por mbase gjatë gjithë këtij vit, do të duhej të zhvilloheshin pa shikues.

Ndeshjet pa shikues – futbollistët të testohen

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Erroll Salihu, thotë që megjithatë rifillimi dhe zhvillimi i kampionateve në Kosovë nuk do të varet krejtësisht nga vullneti i federatës.

“Së pari, nuk do të mund të zhvillohen ndeshjet pa lejen e qeverisë, pa lejen e Ministrisë (së Shëndetësisë) apo të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Por, nëse zhvillohen, sigurisht që do të zhvillohen pa shikues dhe duke marrë masa të skajshme të higjienës personale të lojtarëve dhe të personave tjerë që janë zyrtarë të ndeshjeve. Më e mira do të ishte që të bëheshin testet para fillimit të ndeshjeve. Çdo klub duhet të gjejë mënyrën e vet. Shpresojmë që edhe ne, nëse kemi mundësinë, do të ndihmojmë. Por, sigurisht që duhet t’iu japim klubeve edhe një afat prej dhjetë ditësh që të përgatiten për këtë fazë finale”, u shpreh Salihu.

Por, Morina, i cili është edhe trajner i klubit “Flamurtari”, thotë që klubet tashmë kanë ndërmarrë ato masa preventive që kanë qenë të mundshme, sikurse dezinfektimi e hapësirave brenda objekteve të klubeve dhe fushave të mbuluara.

“Ne masat tona po i ndërmarrim, mirëpo unë mendoj që nuk mund të hyjmë në vazhdim të kampionatit pa u bërë testimet e nevojshme për çdo futbollistë. Aty duhet ta kenë fjalën kryesore Federata dhe Ministria e Shëndetësisë, për arsye se janë teste, të cilat janë mjaft të kushtueshme dhe në këtë moment kur klubet po përballen me probleme financiare, atëherë ndihma e vetme kishte me qenë Ministria e Shëndetësisë dhe Federata. Pra, që të gjithë lojtarët, trajnerët dhe stafet që punojnë me ta, t’i bëjnë testimet para se të fillojë puna me grupe”, vlerësoi Morina.

Zyrtarët e FFK-së kanë theksuar se gjatë kohës së pandemisë financat e klubeve janë dëmtuar, për shkak të vështirësive financiare të vet sponsorëve të këtyre klubeve, të cilët megjithatë nuk e kanë ndërprerë të gjithë ndihmën për klubet. Sipas tyre, Federata ka ndarë mbi 600 mijë euro për të ndihmuar klubet në ligat e ndryshme ku zhvillohen garat.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit edhe zhvillimi i ndeshjeve të kombëtareve në Ligën e Kombeve të UEFA-s, mbetet të shqyrtohet nëse do të luhen gjatë muajve shtator, tetor dhe nëntor, ashtu sikurse edhe ndeshjet e “play-off”-it. Në kuadër të kësaj të fundit, ndeshja në mes Kombëtares së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, e cila është dashur të luhet në muajin mars, është shtyrë për muajin tetor ose nëntor, shkruan REL.