Fushë-Kosovë, në qytet uji rrjedh e shkon dëm, në fshat s’kanë për të pirë

Përderisa në një lagje të Fushë-Kosovës uji i ujësjellësit vazhdimisht rrjedh dhe shkon dëm, në fshatin Pomozotin të kësaj komune banorët vuajnë për ujë të pijshëm.

 

 

Për shkak të dëmtimit të rrjetit të ujësjellësit, që nga muaji gusht i këtij viti uji rrjedh pa u ndalur në rrugën ‘Ajet Muharremi’.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësja e Kompanisë së Ujësjellësit ‘Prishtina’, Arjeta Mjeku, ka thënë se dëmtimi në këtë lagje ka ndodhur në pronë private dhe se është përgjegjësi e konsumatorit ta rregullojë atë.

“Ekipet kanë shkuar në Fushë Kosovë, rrjedhja e ujit është në pronën e konsumatorit dhe nuk është përgjegjësi e jona. Është përgjegjësi e vet konsumatorit ta rregullojë rrjedhën në pronën tij. Por ne do i dalim në ndihmë çka do që ka nevojë”, ka thënë Mjeku.

Në anën tjetër, banorët e fshatit Pomozotin që gjendet rreth 6 kilometra larg Fushë-Kosovës që disa vite ankohen për mungesë të ujit të pijshëm.

Ata tregojnë se me ujë të pijshëm furnizohen nga puset dhe duke blerë në dyqane.

Daut Pllana, banor i fshatit, tregon prej kur përballen me ujë të pijshëm dhe sfidën për ta siguruar atë.

“Problemin e ujit të pijes mundem me thënë që një kohë të gjatë, ndoshta edhe me dekada, por sidomos kohëve të fundit kemi shumë telashe. Për ujin e pijes me sa kam unë informatë dhe dije, pjesa dërrmuese, mundem me thonë 70, 80 , 90% furnizohen nëpër shitore, me kanta, në Fushë-Kosovë. Këtu në KEK nja dy gypa vitin e kaluar thuhet se janë të Batllavës dhe shkojmë marrim aty 10 bidona, 12, 15, 20 varet se qysh dhe furnizohem vetëm për me e pi atë. Për pastrim, për këto gjërat e tjera, përdorim edhe ujin e puseve, e të ujësjellsit shumë rrallë, brenda 24 orëve mundem me thanë që vjen një orë ose dy. Por edhe në atë kohë kur vjen kurrfarë shtypje nuk ka, shtypjen e ka minimale”, thotë ai.

Edhe banori tjetër i fshatit, Sinan Gashi, tregon se përkundër ankesave të shumta – problemi nuk është zgjidhur.

“Prej që është hy uji këtu në fshat, ne gati nuk e kemi përdorë kurrë për pije, pos për larje, pastrim e këto punë, a për pije jo. Këtu furnizimin e kemi prej Kuzminit, fshatit Kuzmin këtu, me disa pompa. Këtu është ujësjellësi por nuk përdoret për pije, nuk ka ujë të pijes, për me pastru edhe diçka ka, a për ujë pije jo. Ujë të pijes marrim gati vetëm nëpër puse, tash momentalisht marrim prej KEK-ut, që e kanë sjellë ujin prej Batllavës”, thotë ai.

“Kanë mendu që me e lidhë ujësjellësin me Batllavë, por me Batllavën shkon shumë vonë, shumë vonë kjo shkon, na fjalë kemi shumë por punë kemi pak”, shton ai.

Në lidhje me problemet e Pomozotinit, zëdhënësja e kompanisë ‘Prishtina’, Arjeta Mjeku, ka thënë se në planin zhvillimor prej 5 deri në 10 vitet e ardhshme, pritet që këtyre fshatrave t’u zgjidhet problemi me ujin e pijshëm.

“Pomozotini dhe disa fshatra të tjera për rreth ende furnizohen me ujë të pijshëm nga objekti prodhues Kroni në Fushë Kosovë. Ne, kemi Planin tonë Zhvillimorë afatgjarë prej 5 deri në 10 vitet e ardhshme, ku në të bëjnë pjesë edhe këto fshatra që të furnizohen me ujë të pijshëm nga sistemet tjera operative, siç është sistemi i fabrikës në Shkabaj”, ka thënë Mjeku në përgjigjen e saj me shkrim.