Foto: Atdhe Mulla

Fushë Kosovë: Komuna vendos t'i zëvendësojë orët e grevës, reagon SBAShK

Pas Drejtorisë së Arsimit në Obiliq, edhe Drejtoria e Arsimit në Fushë Kosovë, ka vendosur që të zëvendësojë orët e humbura gjatë grevës, në ditët e shtuna, por ngjashëm me Obiliqin këtë vendim po e kundërshton Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës(SBASHK).

Drejtori Komunal i Arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabani ka vendosur që orët e humbura gjatë grevës së SBAShK-ut të fillojnë të kompensohen që nga e nesërmja.

Ai ka kërkuar që të gjitha shkollat ta respektojnë vendimin për të mbajtur mësim me 20 prill, 4 maj dhe 18 maj.

Vendimi i drejtorit komunal të Arsimit në Fushë Kosovë, Ismajl Shabani

E rreth këtij vendimi, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë për KALLXO.com se SBASHK-u kishte propozuar ‘një ofertë shumë njerëzore’ për ta vazhduar vitin shkollor për një javë, nëse ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi do ta bënte ndërmjetësimin, për ndryshimin e koeficientit për mësuesit e nivelit 1-5, pedagogët, psikologët dhe sekretarët e shkollave.

Ai deklaroi se drejtoritë komunale arsimore janë duke e marrë detyrën e dikujt tjetër.

“Është për çudi përse disa drejtori po angazhohen për t’i hyrë në hatër ministrit, e për t’i detyruar mësimdhënësit për të mbajtur mësim, gjë të cilën nuk do ta arrijnë. Vendimet e tilla të drejtorëve mund të ketë, e kemi edhe tek drejtori i Obiliqit që ka dërguar një letër për të mbajtur mësim, por ne kemi informacion se ai e ka tërhequr këtë vendim sepse pushimet zyrtare nuk mund të zëvendësohen orët sepse ligji nxjerr obligime të tjera ligjore.”, ka thënë Jasharaj.

Tutje i pari i SBAShK-ut shtoi se drejtoritë arsimore duhet që të organizohen për t’i ndihmuar mësimdhënësit që ditët e punës t’i kenë sa më funksionale e jo të vazhdohet me presione.

“Atyre presioneve ne do t’iu përgjigjemi duke ngritur kallëzime penale, nëse presionet e tilla ashpërsohen.”, theksoi Jasharaj.

KALLXO.com sot ka raportuar se si një situatë e tillë ka ndodhur edhe në komunën e Obiliqit, kur drejtori i Arsimit, Agim Spahiu kishte vendosur që orët e humbura të kompensohen të shtunave dhe ditëve të fesatve zyrtare.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kishte vendosur me 15 prill që zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës tri javëshe të mësimdhënësve, t’ua lë në duar Drejtorive Komunale të Arsimit.

E për këtë vendim, Këshilli i Prindërve është shprehur skeptik për aftësinë e DKA-ve për kompensimin e tyre.

Që nga koha kur greva e mësimdhënësve, e iniciuar nga kërkesa për rritje pagash u ndërpre, Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Ministria e Arsimit, nuk po arrijnë një kompromis në lidhje me këtë çështje.

Greva tre javëshe e mësimdhënësve ishte mbajtur gjatë muajit janar, në shenjë pakënaqësie me koeficientin e pagës në Ligjin për Paga.