Fushë Kosova nënshkruan tenderin për 10 mijë kg miell

Në kohën kur Kosova dhe gjithë bota po lufton kundër pandemisë COVID – 19, Komuna e Fushë Kosovës ka nënshkruar një kontratë për furnizim me miell për nevojat e qytetarëve me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale.

Për këtë tender, kjo Komunë, ka parashikuar kontratë në vlerë deri në 5 mijë euro.

Komuna e Fushë Kosovës kishte përdorur procedurën e negociuar për kontratë me kriter çmimin më të ulët.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, furnizimin me miell do ta realizojë kompania “Eurolona & Feha Sh.P.K” me çmim të kontratës 4 mijë euro.

Sasia e miellit sipas njoftimit është 10,000 kg miell. Ndërkaq, njoftimi për dhënien e kontratës është publikuar më 27 mars.

Pas shpalljes së gjendjes emergjente të shëndetit publik në Kosovë, qytetarët po vërshojnë mullinjt për t’u furnizuar me miell, duke mos respektuar as masën parandaluese siç është distanca fizike.

Insitutiti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK), po vazhdon të bëjë thirrje për qytetarët që të mos dalin jashtë të grumbulluar gjatë orës së lëvizjes së lirë dhe të respektohen masat. Deri më tani numri i të prekurve me coronavirus në Kosovë kap shifrën 86.

Në anën tjetër, më 20 mars, KALLXO.com raportoi së vetëm dy ditë Kosova ka importuar 440 mijë kilogram me vlerë 151 mijë euro.

Ndërsa, të dhënat e siguruara nga KALLXO.com nga Dogana e Kosovës tregojnë se prej datës 16 mars deri më 22 mars, Kosova ka importuar 6,268,300.00 kilogramë grurë. Vlera totale e sasisë së grurit të importuar është 1,413,447.58 euro.