Fushë Kosova anulon aktivitetet e 28 Nëntorit

Kryetari i komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, ka marrë vendim për anulimin e të gjitha aktiviteteve kulturo-artistike të organizuara nga komuna për nder të festës së 28 Nëntorit, pas gjendjes në Shqipëri nga tërmeti.

“E vetmja ngjarje që simbolizon këtë festë është ceremonia e zbulimit të shtatores së Komandantit Adem Jashari në ora 14:00 në sheshin e qytetit. Ky vendim është marrë në shenjë solidarizimi me familjet e viktimave të goditura nga tërmeti në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e komunës.

Qytetarët e Shqipërisë e kanë jetuar nën frikë, pikëllim dhe shpresë për të mbijetuar të tjerë natën pas tërmetit tragjik të mëngjesit të së martës, nga i cili deri më tani, siç raporton TV Klan, 29 persona kanë mbetur të vdekur dhe qindra të tjerë të lënduar.

Ndërkaq, e mërkura e ka gjetur Shqipërinë me gjendje të jashtëzakonshme dhe në zi, përderisa operacionet e kërkim shpëtimit po vazhdojnë edhe sot.

Fotogaleri – Kërkimet në errësirë dhe nata e ftohtë pas tërmetit