Fushatë para fëmijëve: Enver Hoxhaj ua 'shpjegon' PDK-në nxënësve në Ferizaj

Ndonëse ende nuk ka filluar zyrtarisht fushata elektorale, partitë politike kanë nis takime anembanë vendit.

Një të tillë e zhvilloi sot nënkryetari dhe kandidati për deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj.

Ai, u ka hyrë nxënësve në klasë në orë të mësimit në një shkollë në komunën e Ferizajt, bashkë me bashkëpartiakët, Elmi Reçicën dhe kryetarin e komunës, Agim Aliu.

Hoxhaj tha se në takimet e zhvilluara prezantoi politikat e PDK-së.

“Një mëngjes i hareshëm në shkollën “Jeronim de Rada” në Ferizaj, ku takova shumë mesimdhënës dhe nxënës, përplot vullnet për të qenë pjesë e ndërtimit të së ardhmes së Kosovës. Së bashku me kolegët Agim Aliu dhe Elmi Reçica theksova se qeveria e ardhshme e PDK-së do ta ketë prioritet shtrirjen e mësimit gjithëditor në gjithë Kosovën. Me qëllim të rritjes së cilësisë në arsim, do të sigurohemi që të gjitha shkollat të kenë lidhje internet dhe të gjithë nxënësit të pajisen me tablet. Në këtë mënyrë, nxënësit tanë do të jenë në hap me nxënësit në shtetet perëndimore dhe do të kenë mundësi që mësimin ta zhvillojnë në hap me trendet inovative botërore”, thuhet në njoftimin e Enver Hoxhajt të PDK-së.