Fushata kundër lajmeve të rreme në Kosovë, 28 mars 2022 - Foto: KALLXO.com
Fushatë kundër lajmeve të rreme në Kosovë
Organizata “Cyber Security and Privacy” ka nisur fushatën “I am fact-checker” me synim informimin dhe aktivizim e qytetarëve për të luftuar lajmet e rreme, dezinformimin dhe propagandën.
Mentor Hoxhaj, verifikues i lajmeve tha se problem më të madh me raportimin e lajmeve të rreme kanë mediat online në Kosovë.
“Radio dhe televizioni qëndrojnë jashtëzakonisht shumë mirë sa i përket lajmeve të sakta dhe të verifikuara, në relacion me mediat online kemi një numër jashtëzakonisht të madh të mediave online dhe kemi një vrapim për të postuar dhe ky vrapimi për të postuar realisht bart rrezikun edhe postimin e lajmeve të rrejshme”.
Lidhur me këtë, Hoxhaj ka bërë të ditur se gjatë dy muajve në vijim do të bëhet monitorimi i mediave online.
“Do të bëjmë një monitorim të thukët të të gjitha mediave të shkruara online gjatë dy muajve në vazhdim dhe do të kemi një raport të detajuar lidhur me numrin e lajmeve të cilat i bëjnë nga fake news deri te gabimet”, ka thënë ai duke shtuar se ky raportim do të jetë i disponueshëm gjatë muajit qershor.
Ndër të tjera, Hoxhaj ka përmendur edhe disa këshilla elementare për qytetarët që ta kenë më të lehtë evidentimin e informative të rreme dhe të pasakta.
Ndër to ka përmendur: Të mos mashtrohen nga titujt sensacional, dhe të mos lexojnë vetëm titullin e lajmeve por lajmin në tërësi; Të hulumtojnë mbi autorët e lajmeve; Të kontrollojnë datën e publikimit të lajmit; Të verifikojnë foton e lajmit duke shfrytëzuar Google Search by Images dhe TineEye; Të Kontrollojnë adresën dhe kontaktet e portali; Tu referohen ekspertëve për verifikime dhe raportime të lajmeve të rrejshme
Teksa ka theksuar se lajmet e pavërteta janë të ndërlidhura me lakminë e interesat e qytetarëve, dhe me temat aktuale Hoxhaj u ka bërë thirrje këtyre të fundit që në rast se kanë vështirësi në verifikim e informative të pasakta dhe lajmeve të rreme, atëherë t’i dërgojnë ato tek FactChecker-KS për evidentime më të mëdha.
“Momentalisht kemi lajme aktuale invazionin e rusisë në Ukraninë, aty kemi lajme fake, dhe me lakminë ku mashtruesit luajnë me dëshirën e qytetarëve për të fituar pa punuar” ka shpjeguar ai.
Edhe Rrjeti Ndërkombëtar i Verifikuesve të Fakteve (IFCN) ka krijuar një rrjet të mediave, të cilat janë duke gjetur dhe publikuar lajmet e rreme rreth luftës në Ukrainë.
Pjesë e këtij rrjeti është edhe platforma KALLXO.com, me Krypometrin.