Fushata virtuale, mbulimi nga media online anon në favor të PS-së

Gjatë fushatës, mediat online e përqendruan mbulimin e zgjedhjeve në pasqyrimin e deklaratave politike të dy partive të mëdha dhe liderëve të tyre, por i dhanë më shumë hapësirë Edi Ramës kundrejt Lulzim Bashës.

Që nga rënia e regjimit komunist në Shqipëri tre dekada më parë, media ka luajtur një rol të rëndësishëm në informimin e votuesve gjatë fushatave zgjedhore parlamentare në Shqipëri.

Ky rol nuk ka qenë gjithmonë i balancuar dhe për këtë arsye, parlamenti ka vendosur në Kodin Zgjedhor kufizime mbi hapësirën që i jepet në media partive të ndryshme politike.

Megjithatë, këto kufizime vlejnë vetëm për mediat audivizive dhe nuk rregulojnë median online, apo rrjetet sociale – të cilat kanë shënuar një popullaritet në rritje si mjete informacioni gjatë viteve të fundit.

“Problemi qëndron që të paktën sot, kur teknologjia ka gjetur një zhvillim të vrullshëm, pjesa e rregullimit të mediave sociale dhe portaleve ka mbetur e parregulluar, ndërkohë që Kodi Zgjedhor rregullon vetëm media audiovizive,” shprehet Premto Gogo, drejtor ekzekutiv i Koalicionit për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara, KRIIK,

Gogo ka të drejtë që shqetësohet. Një analizë e BIRN e lajmeve të publikuara në dy javët e para të fushatës zgjedhore, të 30 faqeve elektronike të mediave kryesore në vend, mes të cilave 7 faqe televizionesh, 7 faqe gazetash të përditshme dhe 16 portale, tregon se mbulimi i tyre ka qenë i pabalancuar dhe në shumicën e postimeve kufizohet në deklarata të liderëve politikë, të cilat publikohen të paverifikuara, pa kontekt dhe filtra të tjerë editorialë.

Analiza e BIRN tregon se Partia Socialiste në pushtet ka përfituar më shumë hapësirë në mediat online të analizuara se sa Partia Demokratike në opozitë, ndërkohë që partitë e tjera që marrin pjesë në zgjedhje kanë marrë mbulim shumë herë më të kufizuar se dy partitë e mëdha.

Edi Rama është aktori kryesor politik i pasqyruar në median online, i ndjekur nga Lulzim Basha dhe Presidenti Ilir Meta; ndërkohë që aktivitetet administrative të kryeministrit dhe ministrave gjatë fushatës gjithashtu kanë gjetur një pasqyrim të gjërë.

Mbulimi i fushatës nga media online jo vetëm anon në favor të Partisë Socialiste, por shfaq gjithashtu një hendek të qartë gjinor, pasi vetëm 15% e deklaratave politike të publikuara nga mediat online i përkasin kandidateve femra dhe 85% janë artikuluar nga kandidatët meshkuj.

Në zgjedhjet parlamentare të së dielës në Shqipëri garojnë 10 parti politike, 2 koalicione zgjedhore dhe pesë kandidatë të pavarur – në Dibër, Gjirokastër, Lezhë, Shkodër dhe Tiranë. Në total në garë marrin pjesë më shumë se 1840 kandidatë për deputet.

Megjithatë, numri i kandidatëve – akitiviteti politik i të cilëve ka gjetur pasqyrim të gjërë në mediat online gjatë fushatës, mund të numurohet në gishtat e njerës dorë.

Pasi analizoi më shumë se 55 mijë artikuj të publikuar në dy javët e para të fushatës nga 30 mediat online të përzgjedhura gjatë periudhës 26 mars deri më 9 prill, BIRN identifikoi rreth 21,000 artikuj të lidhur drejtpërdrejt me mbulimin e fushatës dhe procesit zgjedhor në vend.

Përmes analizimit të këtyre artikujve përmes një kampioni gjysëm rastësor, BIRN arriti në përfundimin se gati gjysma e artikujve të publikuar (48.8%) janë në formatin e deklaratave politike, 10.5% fokusohen në mbulimin e takimeve elektorale të partive politike, 11.4% janë lajme rreth aktiviteteve të ndryshme administrative të funksionarëve publikë, 8.4 % lajme mbi procesin zgjedhor dhe pjesa e mbetur janë komente, lajme mbi debatet televizive ose rezultatet e sondazheve.

Në formatin e deklaratave politike, përfaqësuesit e Partisë Socialiste kanë gjetur një mbulim më të gjërë se partitë e tjera, duke përfaqësuar 41.3% të deklaratave të botuara, të ndejkur nga Partia Demokratike me 35.2% dhe LSI me 12.4%; ndërsa deklaratat e partive të tjera që garojnë në zgjedhje përbëjnë vetëm 6.9% të totalit.

Për sa i përket aktorëve politikë, 25.2% të deklaratave të botuara i përkasin kryeministrit Edi Rama dhe 17.8% liderit të opozitës Lulzim Basha, i ndjekur nga Presidenti Ilir Meta me 5.8% dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi me 4.2%. Ndërsa pjesa e mbetur e deklaratave të botuara ndahet midis kandidatëve të tjerë në zgjedhje dhe përfaqësuesve të partive politike. Mbulimi nuk qenë i njëtrajtshëm midis faqeve në internet të televizioneve, gazetave dhe portaleve.

Ndërkohë në artikujt që janë në formatin e lajmeve mbi takimet e partive dhe kandidatëve me zgjedhësit gjatë fushatës, mbulimi është më i balancuar midis dy partive të mëdha. Nga këto artikuj, 43.7% kanë qenë mbulim për Partinë Socialiste, 43.9% për Partinë Demokratike, 5.7% për LSI-në dhe vetëm 6.3% për të gjithë subjektet e tjera politike garuese. Edhe në këtë format, Edi Rama është sërisht aktori politik më i pasqyruar me 27.9% të totalit, i ndjekur nga Lulzim Basha me 25.8% dhe Monika Kryemadhi me 3.2%.

Për sa i përket lajmeve që lidhen me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, Komisioni Qendor i Zgjedhjeve është instituconi më i pasqyruar me 55.9% të totalit, ndërkohë që 34% e lajmeve mbi procesin zgjedhor kanë si subjekt partitë politike ose përfaqësuesit ndërkombëtarë në Shqipëri në mënyrë të barabartë, duke mbizotëruar ndaj zërit të monitoruesve të huaj dhe vendas.

Përveç publikimit të një numri më lartë artikujsh mbi deklaratat elektorale të Partisë Socialiste, media online i ka dhënë dhe një mbulim të gjerë akitiviteve administrative të kryeministrit dhe ministrave të kabinetit qeveritar, të cilët gjatë dy javëve të para të fushatës janë përqendruar në fushatën e vaksinimit kundër COVID-19.

Gati 45.1% e artikujve mbi aktivitetet administrative kanë si subjekt ministrat e kabinetit qeveritar, 29.5% kanë subjekt vetë kryeministrin Edi Rama, i ndjekur nga 9.8% të lajmeve administrative që kanë si subjekt Presidentin Ilir Meta. reporter.al