Foto: REL

Fushata represive e stilit rus në Gjeorgji alarmon aktivistët e të drejtave të njeriut

Gazetarja e burgosur, Mzia Amaghlobeli po humb përditë peshë, pasi ka hyrë në javën e tretë të urisë në Rustavi – qytet afër kryeqytetit të Gjeorgjisë, Tbilisi – thotë avokati i saj.

Tani, 49-vjeçarja ka vështirësi të ecë në distancë të shkurtër nga qelia deri në sallën ku takohet zakonisht me zyrtarët e të drejtave të njeriut, kolegët dhe familjarët, të cilët kanë frikë për jetën e saj – raporton Agjencia amerikane e lajmeve AP.

Amaghlobeli do të arrestohej më 12 janar gjatë një proteste antiqeveritare në qytetin bregdetar Batumi. Është njëri nga mbi 40 personat në paraburgim të akuzuar për një seri demonstratash, që muajve të fundit kanë përfshirë vendin prej 3.7  milionë banorësh në Kaukazin Jugor.

Trazirat politike rezultuan Zgjedhjet parlamentare që i fitoi partia qeverisëse Ëndrra Gjeorgjiane, megjithëse kundërshtarët e saj pretendojnë se votimi u manipulua.

Rezultati i Zgjedhjeve e shtyu Gjeorgjinë më tej drejt orbitës së ndikimit të Rusisë. Gjeorgjia aspironte të anëtarësohej në Bashkimin Europian, por partia në pushtet pas Zgjedhjeve pezulloi bisedimet e pranimit.

Teksa po mundohej të çimentonte kontrollin në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane ka shtypur lirinë e tubimit dhe të shprehjes, derisa opozita e krahason qasjen me veprimet e presidentit të Rusisë fqinje, Vladimir Putin. Gjeorgjia dikur ishte nën pushtimin perandorak rus.

 

Akuzat për nxitje revolucioni

Kryeministri Irakli Kobakhidze ka mbrojtur veprimet e Qeverisë së tij, duke akuzuar protestuesit se po mundohen “të shkaktojnë dëme ndaj shtetit” dhe se po përpiqen të organizojnë revolucion të ngjashëm me kryengritjen ukrainase më 2014, që rrëzoi një udhëheqës pro-Kremlinit.

Ëndrra Gjeorgjiane miratoi vitin e kaluar një sërë ligjesh të ngjashme me ato në Rusi, duke vendosur kufizime ndaj grupeve të të drejtave dhe mediave, si dhe duke kufizuar ashpërsisht të drejtat e LGBTQ+. Ligjet e aprovuara, të dënuara nga Bashkimi Europian, nxitën gjithashtu protesta.

Amaghlobeli, themeluese e dy mediave të njohura të pavarura në Gjeorgji, përballet me akuzat për sulm ndaj një zyrtari policie, me dënim të mundshëm deri në shtatë vjet burgim.

Shumë prej të arrestuarve kanë raportuar për keqtrajtime fizike dhe verbale në duar të Policisë ose gjatë paraburgimit. Grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë ngritur alarmin.

“E gjithë kjo paraqet një pasqyrë të një fushate agresive që të ndalen këto demonstrata, shumica e të cilave raportohet se kanë qenë paqësore.” – ka deklaruar Alice Jill Edwards, raportuesja speciale e OKB-së për torturat dhe trajtimet ose dënimet e tjera mizore, çnjerëzore ose degraduese.

 

Akuzat për abuzim në paraburgim

Një video e publikuar nga mediat shfaqte Amaghlobelin duke e qëlluar me shuplakë Shefin e Policisë së Batumit në protestë. Dëshmitarët dhe avokatët e saj kanë theksuar se Policia e kishte keqtrajtuar fizikisht dhe verbalisht paraprakisht dhe se shuplaka ishte reagim i saj ndaj dhunës.

Abuzimi vazhdoi gjatë kohës së paraburgimit, kur Shefi i Policisë “e pështyu në fytyrë Mzian dhe ai nuk e lejoi të pinte ujë ose të përdorte tualetin” – ka treguar për AP-në avokatja e saj, Juba Sikharulidze.

Autoritetet kanë thënë se po hetojnë akuzat – ka theksuar avokati. Ministria e Brendshme nuk i është përgjigjur kërkesës së AP për koment.

Kobakhidze ka thënë se autoritetet do të hetojnë çdo përdorim të tepruar të forcës, por në rastin e Amaghlobelit veprimet e saj u shfaqën “para kamerave”.

“Ky krim është absolutisht i qartë.” – ka deklaruar Kryeministri.

Amaghlobeli, e cila themeloi faqet e pavarura mediale, Batumelebi dhe Netgazeti, nisi një grevë urie në shenjë proteste dhe tani avokatët gjeorgjianë dhe perëndimorë të të drejtave të njeriut thonë se jeta e saj po vihet në rrezik.

Michael O’Flaherty, komisioneri i Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, i ka deklaruar Radio Europa e Lirë se situata e Amaghlobelit “kërkon veprim urgjent”.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com