Teatri Kombetar

foto; Denis Sllovinja

Fushata elektorale, kundërshtime mes sindikatave të Teatrit Kombëtar për Ligjin për Krijuesit dhe Performuesit e Artit

Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës ka bërë të ditur se nuk është pjesë e organizimit që më 5 shkurt në media lansoi kumtesën drejtuar partive politike garuese në zgjedhjet e tanishme parlamentare lidhur me Ligjin për Krijuesit dhe Performuesit e Artit.

Kjo shoqatë ka theksuar se si subjekti i vetëm sindikal i certifikuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës shpreh habinë që “individë të caktuar të inkriminuar dhe pa legjitimitet bëjnë kushtëzime elektorale, bazuar në idetë dhe propozimet e SHSTKK-së, përfshirë miratimin e Ligjit për Krijuesit dhe Performuesit e Artit, të cilin subjekti i tyre e ka në programin dhe statutin e tij, të miratuar që në vitin 2016”.

“Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës, i konsideron shumë të dëmshme praktikat e deri tanishme të politizimit të institucioneve të kulturës, përfshirë Teatrin Kombëtar të Kosovës për interesa meskine të disa individëve, kurse vazhdimin e qasjes se tillë e kualifikon të papranueshme”, thuhet në reagimin e datës 6 shkurt.

Shoqata sindikale, e cila është e regjistruar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka shtuar se pret nga partitë fituese të zgjedhjeve të shfuqizojnë “një sërë aktesh dhe vendimesh antiligjore në këto institucione” dhe të instalojnë mekanizma për sundimin e ligjit, përgjegjësisë, llogaridhënjes praktikë e munguar deri më tani – sipas shoqatës, si parakusht për mbarëvajtjën normale të punës së stafit dhe veprimtarisë artistike.

“Vetëm pas vendosjes së ligjshmërisë dhe vënjën para përgjegjësisë të individëve të ngarkuar me përgjegjësi  penale dhe shkelje ligjore, mund të pretendohet edhe miratimi i ligjeve dhe normativave shtesë, përfshirë  ligjin e ideuar kohë më parë nga ne, për Krijuesit dhe Përformuesit e Artit”, theksohet në reagim.

Në anën tjetër,  Këshilli organizativ sindikal, i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Arsimit, i përbërë nga përfaqesuesit sindikalë të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Filarmonia e Kosovës, AKKV “ SHOTA”, pati kërkuar nga legjislatura e re e Kuvendit miratimin e Ligjit për Krijuesit dhe Performuesit e Artit dhe Kulturës së Kosovës.

Ata kanë kërkuar ndër të tjera propozim për procedimin e koncept dokumentit nga ana e sponsoruesit, MKRS-së, për hartimin e ligjit, themelimin e grupit punues profesional gjatë 100 ditëshit të parë, përfshirja e të gjitha grupeve të interesit duke perfshirë përfaqësuesit sindikalë të institucioneve dhe organizatave të pavarura të kulturës që funksionojnë në Kosovë dhe hartimin dhe miratimin ligjit nga Kuvendit i Kosovës.